Ballina Rajoni Kundër padrejtësisë dhe korrupsionit, shpërthen një tjetër protestë e madhe në Serbi

Kundër padrejtësisë dhe korrupsionit, shpërthen një tjetër protestë e madhe në Serbi

24
0

Dhjetëra mijëra njerëz u bashkuan me studentët protestues të shtunën në Serbi në një tubim kundër padrejtësisë dhe korrupsionit.

Studentët e universiteteve në vendin ballkanik, i cili drejtohet nga një qeveri populiste për më shumë se një dekadë, po mbajnë protesta mbarëkombëtare që nga shembja fatale e çatisë së një stacioni të trenit në muajin nëntor që vrau 15 njerëz dhe për të cilën kritikët fajësojnë korrupsionin qeveritar.

Në protestat pothuajse të përditshme marrin pjesë dhjetëra mijëra njerëz dhe kanë tronditur kontrollin e fortë të pushtetit nga Presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili i ka përshkruar protestat si një përpjekje të organizuar nga perëndimi për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Studentët thanë në një deklaratë se “duan institucione që punojnë në interes të të gjithë neve dhe jo në dëmin tonë dhe një sistem që vlerëson dijen dhe punën dhe jo bindjen dhe heshtjen”

Protestuesit nga i gjithë vendi u mblodhën në Nish, rreth 200 kilometra në jug të Beogradit, për të marrë pjesë në tubimin e së shtunës në stilin e një festivali, që pritet të zgjas për 18 orë.

Studentët thanë se ngjarja, gjatë së cilës do të miratohet simbolikisht një dekret, është “një thirrje zgjimi për të kaluar nga apatia në veprim, nga heshtja në një luftë të zhurmshme për një të ardhme më të mirë dhe zotim për të mos hequr dorë kurrë”!

Serbia është zyrtarisht në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por Presidenti Vuçiç dhe Partia e tij Përparimtare Serbe e krahut të djathtë janë akuzuar për frenim të lirive demokratike dhe nxitje të korrupsionit të shfrenuar që nga ardhja në pushtet.

Tubimi i Nishit shënon katër muaj që kur çatia prej betoni në stacionin qendror të trenit në qytetin verior të Novi Sadit, u shemb më 1 nëntor.

Ndërtesa e stacionit ishte rinovuar dy herë në vitet e fundit si pjesë e një pune më të gjerë të infrastrukturës me kompanitë shtetërore kineze. Shumë në Serbi besojnë se puna në ndërtesë ishte e ngadaltë dhe nuk respektoi rregullat e sigurisë së ndërtimit për shkak të korrupsionit të përhapur.

Kryeministri Milosh Vuçeviç dha dorëheqje për shkak të protestave dhe ka mohuar përfshirjen në korrupsion, ndërsa prokurorët kanë akuzuar 13 persona në lidhje me shembjen e çatisë së stacionit të trenit.Por këto veprime nuk u dhanë fund protestave.