Hetimet për vrasjen e 24-vjeçares palestineze, Rayyan Alwan, e cila humbi jetën në Tiranë në një banesë të marrë me qira, kanë marrë një kthesë të papritur.
Autoritetet shqiptare, pas kërkesës për të informuar prindërit e të ndjerës, kanë marrë informacion nga autoritetet gjermane se Fati Alwan, mund të jetë babai i viktimës dhe se ai është tashmë i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare.
Fati dhe Rayyan kishin hyrë në Shqipëri duke u prezantuar si turistë. Dyshimet e reja kanë ngritur shqetësime për origjinën e tyre, pasi të dy kishin udhëtuar në Shqipëri me dokumente greke përmes aeroportit të Rinasit.
Viktima dhe Fati mbërritën në Shqipëri disa ditë përpara ngjarjes tragjike, dhe më 22 shkurt, Fati ka udhëtuar nga Shqipëria për në Athinë, e më pas në Amsterdam, ku janë humbur gjurmët e tij.
Ngjarja u zbulua kur pronarja e banesës, që kishte dhënë me qira apartamentin, ka vërejtur mungesën e lëvizjeve nga ana e Rayyan dhe ka shkuar për të kontrolluar banesën. Ajo ka gjetur trupin e pajetë të vajzës së saj, e cila ishte masakruar me thikë. Hetimet e mëtejshme dhe analiza e kamerave të sigurisë kanë treguar se Fati kishte ikur herët në mëngjes të 22 shkurtit, duke lënë pas të vdekur vajzën e tij.
Autoritetet shqiptare dhe ato ndërkombëtare po punojnë ngushtë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të ndjekur gjurmët e Fati Alwan, i cili është tashmë një nga personat më të kërkuar për këtë vrasje. Hetimet janë në vazhdim dhe pritet që të dalin më shumë informacione për këtë ngjarje tragjike.