Ballina Politika Berisha në Milano: Fitorja jonë është e pamohueshme, 3 muajt e fundit...

Berisha në Milano: Fitorja jonë është e pamohueshme, 3 muajt e fundit janë dëshmi

26
0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me emigrantët shqiptarë në Milano tha se fitorja është e opozitës dhe ka theksuar se Shqipëria ka kaluar një periudhë të rëndësishme ndryshimesh gjatë 3 muajve të fundit.

Ai ka deklaruar se ky është “viti i diasporës”, duke e cilësuar këtë periudhë si një vit të veçantë për shqiptarët jashtë vendit, të cilët, sipas tij, kanë dhuruar një energji të madhe dhe kanë kontribuar për shpresën dhe besimin tek Shqipëria.

Në një fjalim të mbajtur para mbështetësve, Berisha theksoi se shqiptarët jashtë vendit jetojnë në një ambient të lirë, ku nuk ka ndodhur asnjëherë që të burgosen kundërshtarët politikë për të marrë pushtetin, ashtu siç ndodh në Shqipëri.

Ai gjithashtu kritikoi qeverinë e Edi Ramës, duke akuzuar atë për shpërdorim të pasurive kombëtare dhe për krijimin e një regjimi që favorizon një grusht hajdutësh.

“Miq, e keni patur një vështirësi të veçantë. Kur shoh këtë entuziazëm të jashtëzakonshëm, rri edhe mendoj: Problemi se terrori, se varfëria, se burgosjet politike, se plaçkitja masive i ka topitur shqiptarët. Pse ju jeni kaq në këmbë? Ka entuziastë, kaq shpërthyes? Sepse, jetoni në një vend të lirë dhe e dini se, nuk burgosen kundërshtarët politikë për të marrë mandate. Dhe e dini se, nuk ndërtohet me çmime 10-fish rrugët dhe shkollat për të vjedhur qytetarët.

Dhe e dini se, nuk grabiten dhe plaçkiten pasuritë e shqiptarëve për t’u pasuruar një grusht hajdutësh në krye të shtetit dhe qeverisë. Ndaj dhe, kjo është arsyeja që jeni në këmbë. Kurrë ndonjëherë ndërgjegja kombëtare nuk ka qenë, ndofta që nga pavarësia gjer sot, më e përqendruar tek shqiptarët jashtë atdheut se sa është sot”, tha Berisha.

Në vazhdim, Berisha bëri një reflektim mbi ndryshimet që kanë ndodhur gjatë tre muajve të fundit. Ai tha se, nëse do të kishte shpallur disa muaj më parë se do të vinte në Shqipëri kryestrategu i rikthimit të Donald Trump, askush nuk do ta kishte besuar.

“Ne ia kemi dalë. Vetëm merrni 3 muajt e fundit ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur. Le t’i bëjmë një pyetje bashkërisht vetes: Sikur Sali Berisha të deklaronte nga dritarja e katit të tetë tri muaj më parë se, në Shqipëri do zbarkojë për të drejtuar fushatën e PD-së kryestrategu i planetit, kryestrategu i rikthimit më të jashtëzakonshëm në histori, rikthimit të Donald Trump, a nuk do thoshit, askush nuk do ta besonte”, tha Kreu i PD-së.