Ballina Sport Duplantis, “njeriu fluturues”, thyen për herë të 11-të rekordin botëror

Duplantis, “njeriu fluturues”, thyen për herë të 11-të rekordin botëror

28
0

Armand Duplantis mund të quhet ndryshe si “njeriu fluturues”, jo vetëm për rezultatet e arritura, por edhe vendosmërinë për të çuar në limite mundësinë e njeriut që sfidon fizikën dhe nënshtron mundësitë, duke guxuar për ta çuar njeriun drejt aspiratës së ëndrrave të tij, fluturimin.

Armand Duplantis, vazhdon të shtyjë kufijtë e atletikës, duke thyer për herë të 11-të rekordin botëror në kërcimin me shkop. Atleti suedez kërceu 6.27 metra në eventin prestigjioz “All Star Perche”, të organizuar në Clermond-Ferrand, Francë, të premten vonë.

25-vjeçari dominoi garën duke kapërcyer me lehtësi lartësinë e 6.02 metrave, përpara se të tentonte të shkruante sërish emrin e tij në historinë e sportit. Me këtë arritje, Duplantis theu rekordin e tij të mëparshëm prej 6.23 metrash, të cilin e kishte vendosur në gusht të vitit të kaluar në Poloni.

Kampioni olimpik, i cili ka siguruar tashmë një titull të dytë radhazi në Lojërat Olimpike, po dëshmon një dominim të padiskutueshëm në këtë disiplinë. Me teknikën e tij të përsosur dhe aftësinë e jashtëzakonshme për të sfiduar gravitetin, Duplantis vazhdon të jetë një ikonë e atletikës botërore dhe një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm të sportistëve.

Eventi “All Star Perche”, i krijuar nga legjenda franceze e kërcimit me shkop, Renaud Lavillenie, mblodhi sportistët më të mirë të kësaj disipline, por ishte sërish Duplantis ai që rrëmbeu vëmendjen, duke dëshmuar se është një fenomen i pakrahasueshëm në historinë e sportit.

Me këtë sukses të fundit, atleti suedez nuk tregon asnjë shenjë ngadalësimi, duke lënë të hapur pyetjen: sa lart mund të shkojë “njeriu fluturues”?.