Nga Desada Metaj
Për të kuptuar se si është katandisur qeverisja, ndoshta duhet t’i hedhim një sy opozitës. Nëse biem të gjithë dakord që Edi Rama duhet të largohet, pyetja që mbetet pa përgjigje është: opozita si është?
Dhe për këtë mjafton të shohësh si kanë zhvilluar një proces të brendshëm primaresh – një garë që, në parim, duhet të ishte një vlerë për demokracinë e brendshme të një partie. Por në realitet rezultoi një farsë e shëmtuar, të cilën mund t’ia kishin kursyer një publiku të velur nga demagogjia dhe propaganda.
Për këtë mjafton të shohësh faktin se gati 24 orë pas mbylljes së votimit për primaret në Tiranë, ende nuk ka një rezultat të publikuar zyrtarisht nga PD. Dhe kjo nuk është çështje teknike, por terësisht vullnet politik i lidershipit demokrat.
Pse nuk shpallet rezultati i Tiranës? Mos ndoshta sepse Berisha & Co duan të vendosin në krye ata që nuk janë të pëlqyer nga demokratët, por janë “besnikët” trushpëlarë të kryetarit? Qartësisht, nuk ka asnjë arsye apo justifikim për këtë ngërç, i cili, më shumë se primaret e stisura, tregon qartë batakun ku është zhytur partia më e madhe e opozitës.
Po për elementët e krimit që ndiqnin mbrëmë fizikisht në zyrat e PD numërimin e votave, a ka ndonjë shpjegim Sali Berisha? Apo “narkoqeverinë” (siç i pëlqen ta quajë) do ta luftojë me një “narkoopozitë”?
Me çfarë alternative, morali dhe figurash të reja do të përballet kjo opozitë në më pak se dy muaj? A mendojnë vërtet drejtuesit e saj se arrnimet që i bëjnë përfaqësimit të PD do të mund të jenë alternativa që do të mundë Edi Ramën?
Si ka mundësi që një opozitë që e ka fushën thuajse të lirë, pas arrestimeve të figurave më të rëndësishme të kundërshtarëve politikë, nuk arrin jo të shënojë gol, por as të afrohet në zonën e sulmit? A mos është dhe kjo opozitë e kapur nga tentakulat e krimit siç akuzon mazhorancën? Pse duhet të shfaqen në selinë e demokratëve gjatë procesit të votimit të primareve persona me rekorde kriminale?
Një përgjigje ndoshta lidhet me faktin se PD nuk do të vijë në pushtet. I mjafton të jetë aty ku është, në opozitën përballë Edi Ramës, ku secila palë mban fort tjetrën, në një skenë që qelbet erë politike të vjetëruar.
Dhe për të gjithë ata që ankohen se nuk mund t’i bësh opozitë opozitës, kam një përgjigje të thjeshtë dhe të sinqertë – një shprehje popullore:
“Qorr për qorr e kam në oborr.” E nëse nuk ke një alternativë bindëse, të paktën hesht, largohu dhe lër hapësirë që dikush tjetër të jetë alternativë – për t’i dhënë këtij vendi mundësinë të zgjedhë jo më mes të keqes më të vogël, por mes së mirës dhe së keqes.