Ballina Kronika Në shkurt u arrestuan 792 persona, policia bën bilancin: Janë zhvilluar 105...

Në shkurt u arrestuan 792 persona, policia bën bilancin: Janë zhvilluar 105 operacione!

30
0

Strukturat e Policisë së Shtetit, kanë patur angazhim 24/7 në terren për të garantuar rendin e sigurinë në bashkëpunim me qytetarët, punë intensive hetimore dhe operacionale në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese kombëtare dhe me homologët ndërkombëtarë për goditjen e krimit të organizuar, korrupsionit dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.

Sipas tyre gjatë muajit shkurt 2025, janë zhvilluar 105 operacione policore dhe janë vënë në pranga 792 autorë të dyshuar veprash penale, si rezultat i punës së vazhdueshme të bazuar në inteligjencën policore dhe i bashkëpunimit me qytetarët.

Në një bilanc të punës, policia deklaron se 23 shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht për pjesëmarrje në organizata kriminale të trafikimit të narkotikëve, krime kundër personit dhe krime të tjera, janë kapur në Shqipëri dhe janë arrestuar me qëllim ekstradimin gjatë operacioneve të zhvilluara si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me partnerët ndërkombëtarë.

Po ashtu 8 shtetas të tjerë të kërkuar ndërkombëtarisht nga autoritetet shqiptare, 3 prej tyre me rrezikshmëri të lartë shoqërore, u ekstraduan në Shqipëri, si rezultat i bashkëpunimit të Policisë së Shtetit, me partnerët gjermanë, turq, italianë dhe grekë.

55 shtetas që ishin në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale, janë kapur dhe vënë në pranga, në të gjithë vendin, si rezultat i kontrolleve të pandërprera dhe i administrimit të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore.

“27 armë zjarri, 3 silenciatorë, 85 kapsolla detonatore, 4 armë gjahu, 5 maska, 4 jelekë multifunksionalë, 20 armë të ftohta dhe sende të tjera të kundërligjshme janë sekuestruar si rezultat i operacioneve për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe kontrolleve në ambiente të ndryshme.

Gjithashtu, nga dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, u sekuestruan 780 bimë kanabisi, 80 llamba, 80 transformatorë dhe 8 aspiratorë.

Dy operacione të zhvilluara në Tiranë goditën trafikimin e lëndës narkotike kanabis nga Tajlanda në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar.

2 grupe të strukturuara kriminale me veprimtari në fushën e narkotikëve u goditën si rezultat i operacioneve të përbashkëta të zhvilluara me partnerët italianë.

Në të gjithë vendin janë arrestuar/proceduar në gjendje të lirë, 60 shtetas, për dhunë në familje, si dhe janë goditur 35 raste të krimeve kundër mjedisit.

Policia Rrugore dhe makinat inteligjente kanë qenë prezente gjatë këtij muaji, në të gjitha akset e vendit, për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për të eliminuar pengesat artificiale që krijojnë vonesa dhe fluks në lëvizjen e lirë të automjeteve por dhe të këmbësorëve. Gjatë këtij muaji, ka pasur prezencë të shtuar të punonjësve të Policisë Rrugore, në akset rrugore në zonat malore, për shkak të vështirësimit të qarkullimit nga moti i keq.

Si rezultat i punës parandaluese dhe monitorimeve të pandërprera:

Janë vënë në pranga 215 drejtues mjetesh, nga të cilët 116 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 99 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi;

Janë pezulluar 200 leje drejtimi, nga të cilat 16 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 10 për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 174 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.

Policia Kufitare, krahas punës për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe etik, për qytetarët në hyrje/dalje, në të gjitha pkk-të, ka parandaluar dhe goditur edhe:

-60 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 19 raste të falsifikimit të dokumenteve, 10 raste të kontrabandës së mallrave, 4 raste të trafikimit të mjeteve motorike dhe 8 raste të mosdeklarimit të parave.

Policia e Shtetit vijon bashkëpunimin me partnerët, agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit për të zhvilluar dhe finalizuar hetime dhe operacione të përbashkëta me qëllim goditjen e krimit të organizuar dhe kapjen e personave në kërkim.

Gjithashtu  Policia e Shtetit fton qytetarët që të vijojnë të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të përmbushen misionet madhore, garantimi i rendit publik dhe zbatimi i të drejtave të qytetarëve.