Ballina Opinion Rama me shqiptarët në Greqi, Berisha me Fredi Bejlerin në Shqipëri!

Rama me shqiptarët në Greqi, Berisha me Fredi Bejlerin në Shqipëri!

44
0

Nga Denis Dyrnjaja

Brenda garës zgjedhore të 11 majit nga do të dalë edhe Parlamenti i ri do të ketë edhe një test tjetër të rëndësishëm, ai për popullaritetin e forcave politike në radhët e mërgatës sonë në botë. Ky është testi i parë dhe në fakt mendohet edhe si një faktor i rëndësishëm dhe ndikues në rezultatin që do të prodhojë përballja në zgjedhjet e kësaj pranvere, mes PS në pushtet dhe PD me aleatët e saj, si dhe një grupi partish të tjera alternative, që synojnë të thyejnë linjat tradicionale të politikës që përfaqësohen nga Rama e Berisha. Por duke qenë se “tortën” elektorale e ndajnë dy partitë tradicionale, natyrisht edhe analiza e vëmendja shkon për mënyrën se si ato po i qasen elektoratit, për të fituar këtë mbështetje të bashkatdhetarëve që janë ftuar këtë herë të bëhen pjesë e angazhimit për të zgjedhur se kujt duan t’ia besojnë qeverisjen për 4 viteve të ardhshme, Ramës në mandatin e katërt, apo rikthimit të Berishës në mandatin e tretë si kryeministër.

Referuar atyre çfarë kanë ndodhur deri tani në axhendat elektorale, PS duket se ka një marsh më shumë në organizim, pasi dinamika e takimeve të strukturave të saj dhe vetë Ramës si kryetar i mazhorancës, tregon një përparësi ndaj rivalit të tij Berishës, që më shumë po spikat për aleancën me Fredi Bejlerin e Vangjel Dulen e PBDNJ,, sesa për interesin e shqiptareve të Greqisë, Italisë, Anglisë, Gjermanisë e gjetkë Amerikës apo Australisë.

Pra takimeve masive të Ramës me sallat plot në Athinë apo Selanik, Berisha i përgjigjet me lavdet e paktet për listat e mbyllura të pazareve e qokave për Bejlerët e Greqisë në Tiranë, e përpjekjeve për të futur nën një çati edhe votat e çamëve të Shpëtim Idrizit, arritje më vete kjo të bashkosh të përbetuarit si të pabashkueshëm. Bashkimi greko/çam nën udhëheqësinë e Berishës meriton të vlerësohet edhe pse pushteti dhe nevoja për atë mandat deputeti rrëzon çdo parim e moral qoftë ky edhe i profilit nacional.

Gjithsesi hesapin do ta shohim më 11 maj edhe pse duket si një faturë e parashkruar, që kur mendon se kush i drejtohet kujt dhe se kush është kush?! Psh nëse i referohesh vetëm rastit të Greqisë, Rama përfaqësohet me një valë të dukshme mbështetjeje të fuqishme kombëtare, pasi ka ditur të zgjedhë simbolikat e duhura që nga elementët vizivë plotësues si flamuj, pankarta etj e deri te fjalimet e kujdesshme për të zgjuar dëshirën për rikthimin në atdhe dhe mbrojtjen e dinjitetit të çdo shqiptari, ndërsa Berisha nuk ka asnjë risi dhe detajet që bëjnë dallimin mungojnë. Ai u flet shqiptarëve në Greqi si bashkatdhetarëve që u drejtohet përditë nga salla e Parlamentit apo selisë së partisë së tij në Shqipëri.

Nëse i referohemi edhe elementit demografik, kryesisht votuesit e diasporës janë brezat e 30 viteve të fundit që i lidh më shumë me Shqipërinë e tashmja se sa e shkuara. Pra ata shohin zhvillimin e Shqipërisë dhe nuk kanë lidhje me përrallat me monizmin, diktaturën apo elementë të cilët Berisha i njeh mirë si njeri i angazhuar pranë nomenklaturës së ish-diktaturës si ish sekretar partie. Dhe në këtë rast llogaria është e thjeshtë dhe e dukshme se nga anon në partencë fuqia elektorale, kjo edhe për strategjinë e zgjedhur nga secili të paktën deri tani. La Civitta, strategu i ardhur nga SHBA për t’i dhënë Berishës fitoren ndoshta ka ndonjë magji në arsenalin e tij të taktikave elektorale, për ta bërë liderin opozitar ende “non grata” fitues e për ta rikthyer për herë të tretë në pushtet.

Nga ajo që po shohim deri më sot duket se më shumë po e këshillon Berisha, La Civittan se sa po merr ai këshilla prej mentorit amerikan. Ndryshe nuk ka sesi shpjegohet që e gjithë axhenda e Berishës për votat e diasporës, duket si një adresim i gabuar. Të promovosh aleancën me Bejlerin në vend të aleancës me shqiptarët, duhet të jetë më shumë se gabim. Ndoshta është qëllim ose synim. Por këto janë elementë dhe detaje që i zbulon dhe i nxjerr koha.

Ndoshta halli i dështimit të sigurt e shtyn Berishën të tentojë të gjejë mbështetjen atje ku nuk ka shpresë për të arritur fitoren, që ndonjëherë duket më shumë e padëshiruar se e dëshiruar. Se koha dhe ngjarjet kanë treguar se në një vend si Shqipëria, fiton edhe duke qenë gjithnjë i dyti dhe kjo është provuar me rastin e opozitës Basha. Qëndo kundërshtar, por partner në çdo rast se pushtet është dhe opozita, sidomos kur gjithçka është në shit/blerje përfshirë edhe mandatet e deputetëve për një vend të sigurt në listën e vegjetuesve dështakë opozitarë, qofshin këta bejlerë apo agallarë!