Ballina Rajoni Siguria kibernetike, Andonovski: RMV-ja është anëtare e NATO-s, mirëpo institucionet blejnë antiviruse...

Siguria kibernetike, Andonovski: RMV-ja është anëtare e NATO-s, mirëpo institucionet blejnë antiviruse nga Rusia

31
0

“Aktualisht mbrojtja që ofrohet në hapësirën kibernetike të vendit është ad-hoc dhe institucionet e vendit nuk janë të obliguar të mbrohen nga sulmet kibernetike”, thotë Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski.

Ministri Andonovski në intervistën për Radio Evropa e Lirë tha se mbi 20 institucione kanë blerë antiviruse ruse.

Ai nuk jep detaje se për cilat institucione bëhet fjalë por nuk e sheh të arsyeshme që Maqedonia e Veriut si vend anëtar i NATO-s, të blejë antiviruse nga Rusia.

“Mund të shihet në hulumtimet e furnizimeve publike se cilët institucione, çfarë licensash kanë blerë dhe për çfarë antivirusi bëhet fjalë. Padyshim kjo nuk është e jashtëligjshme, nuk është vepër penale, për shkak se ato kompani ekzistojnë dhe funksionojnë, por qëndrimi i vendit është se jemi anëtare e NATO-s, se jemi të orientuar pro-perëndimit dhe synojmë integrimet euroatlantike, kurse njëkohësisht blejmë antiviruse nga Rusia”, tha Andonovski.

Ministri shtoi se me dhjetëra institucione me kohë nuk e kanë rritur apo mbindërtuar mbrojtjen e tyre dhe kanë punuar me licensa të skaduara, kurse një numër I madh i institucioneve i vendosin të dhënat e qytetarëve nëpër serverë dhe kurse më vonë as që kujdesen nëse mbrohen sa duhet.