Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me Koordinatorin për Marrëdhëniet me Jashtë të Forza Italia-s, Ludovico Seppilli, në Milano, ku ishte i shoqëruar edhe nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Takimi u fokusua në forcimin e marrëdhënieve tradicionale midis dy partive, intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh dhe në kuadrin e Partisë Popullore Europiane (EPP) dhe Internacionales Demokratike të Qendrës (IDU).
Gjatë bisedës, Berisha e informoi Seppilli-n për zhvillimet aktuale në Shqipëri, duke e cilësuar regjimin e Edi Ramës si një “narko-diktaturë” të parë dhe të vetme në Evropë, ku për shkak të korrupsionit dhe politikave të tij, liderët opozitarë janë persekutuar, dhe më shumë se 45% e shqiptarëve janë larguar nga vendi në dekadën e fundit.
Berisha siguroi Seppillin dhe partnerët e Forza Italia-s se Partia Demokratike, me mbështetjen e partive simotra, është e angazhuar për të çliruar Shqipërinë nga regjimi i Edi Ramës dhe për të rikthyer vendin në rrugën e shtetit ligjor dhe demokracisë.
Postimi i kreut të PD Sali Berisha:
Takim me Koordinatorin për Marrëdhëniet me Jashtë të Forza Italia, z. Ludovico Seppilli
Të dashur miq,
Në Milano, së bashku me kryetarin e Partisë Republikane, Z. Fatmir Mediu, takuam Koordinatorin për Marrëdhëniet me Jashtë të Forza Italia, Z. Ludovico Seppilli. Në këtë takim diskutuam gjerësisht mbi marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera midis dy forcave tona politike, intensifikimin e këtyre marrëdhënieve, bashkëpunimin bilateral dhe atë në kuadrin e EPP dhe IDU.
Gjatë takimit, e njoha Z. Seppilli me zhvillimet në Shqipëri, narko-diktaturën e parë dhe të vetme në Europë, në të cilën Edi Rama, me drejtësinë e tij politike, ka burgosur dhe përndjekur liderët e tre partive politike opozitare, ka marrë mandatet e përfaqësuesve të opozitës dhe, me korrupsionin e tij, ka dëbuar në 10 vite, 45% të shqiptarëve nga Shqipëria.
Unë gjithashtu e sigurova Z. Seppilli se PD, me mbështetjen e miqve të saj si Forza Italia dhe partitë simotra, do ta shpëtojë vendin nga regjimi korruptiv i Edi Ramës dhe do ta rikthejë Shqipërinë në rrugën e shtetit ligjor dhe demokracisë. sb