Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale ku shfaqet së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, duke mohuar pretendimet e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, se Agaçi ishte arratisur për t’i shpëtuar drejtësisë.
Në postimin e tij, Rama thekson se Agaçi nuk ka qenë në arrati, por në spital duke luftuar për jetën pas një operacioni në zemër dhe komplikacioneve me mushkëritë.
“Ky është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, të cilin Bufi i Kënetës e shpalli arratiak… teksa tjetri ishte në fije të perit në reanimacion me frymëmarrje të drejtuar,” shkruan Rama në postim.
Kreu i qeverisë akuzon opozitën për përhapjen e lajmeve të rreme dhe spekulimeve, ndërsa thekson se Agaçi ka qenë nën kujdes intensiv shëndetësor dhe jo në arrati.