Ballina Dossier “Çdo ditë çaj e fasule, fjetja në baraka me dyshekë kashte e...

“Çdo ditë çaj e fasule, fjetja në baraka me dyshekë kashte e batanije të kohës së luftës…”/ Kujtimet e shkrimtarit: Kur i tregova se do më merrnin ushtar…

52
0

Nga Sokrat Shyti

PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”

– “Kaq thellë qenke zhytur në mendime, sa nuk i ndjeve hapat e mi”?!…- dëgjova prapa zërin e saj. – “Ka diçka që të mundon dhe nuk e shpreh dot”? – shtoi ajo me vështrim të shqetësuar.

– “Kot ta bije rrotull, – ia ktheva unë përmes psherëtimës”.

– “Sado e hidhur dhe e rëndë të jetë, duhet ta thuash”! – ngulmoi ajo. – “Për mua ka rëndësi, të mos jetë pjesë përbërëse e mendimeve tona”.

– “Në njëfarë mënyre i sfilit mendimet tona, na shkakton dhimbje…”!

– “Dhimbjet i përtypim, jemi mësuar të durojmë”.

– “Rëndësi ka të mos preket e cënohet dashuria jonë”! – theksoi ajo, duke më futur krahun, që të ecnim ngadalë pranë njëri tjetrit.

– “Fillesa e dyshimit, se ngacmimet e hidhura do jenë vazhdimisht të pranishëm, më lindi që atë çast kur na vendosën në kasollen e lopës. Dhe në fakt kështu ndodhi. Gjatë këtyre tre viteve, s’kam kaluar qoftë një ditë të vetme, pa qenë i stresuar. Në njëfarë mënyre u mësova me këtë lloj jetese, tmerrësisht të zymtë.

Dashakeqësit e mi, që i vëzhgonin të gjitha lëvizjet e mia me ndihmën e hijeve, edhe pse ndjeheshin të kënaqur që jetesa në kasollen e lopës i përmbushte deri në një synimet e ligësisë, prapë ishin të babëzitur e nuk hiqnin dorë nga thurja e kurtheve dhe intrigave të reja, që të mos e ngrija kurrë kokën, të mos shpresoja se për mua e familjen time, do shfaqet një ditë kthesa e mbarë…”!

– “Po më tmerron me këtë mënyrë të shprehuri?!… Pse i bie rrotull dhe nuk e thua troç: të mundon ndonjë rast që të kanë hedhur lakun në grykë, dhe tani janë kujtuar ta tërheqin litarin në shenjë hakmarrje”?…

– “Ata asnjë dite s’kanë reshtur duke e tërhequr litarin e ndëshkimit. Dhe sa herë vërejnë që kulari në qafën time lirohet sadopak, unë mund marrë frymë më lirshëm, siç po ndodh në këtë periudhe kohore, egërsohen e tërbohen si të xhindosur, hidhen në sulm frontal, të na japin të dyve goditjen më çoroditëse…”!

– “Mjaft më torturove me shpjegime letrare! – më ndërpreu ajo e nervozuar. – Në fillim më trego lajmin, pastaj bëj komentin”!

– “Engjëlli i Degës Ushtarake, më njoftoi se ka ardhur urdhër nga lart, për të shkuar ushtar”!

– “Sot ta tha?! – pyeti ajo me zë të tronditur. – Të dha fletë-thirrjen”?

– “Ai erdhi shoqërisht, jo zyrtarisht. Prandaj dhe takimi u bë i fshehtë, prapa shtëpisë së motrës, në kopsht. Për të mos rënë në sy, qe veshur civil. Edhe pse kumti që më dha ishte i hidhur, i shpreha mirënjohjen që më njoftoi paraprakisht: Sepse për çdo familje, largimi me vite i djalit nga shtëpia, përbën shqetësim të madh. Veçanërisht për ne, kur pas kthesës së madhe, na u dha mundësia të nisim përgatitjet për të hedhur themelet e të ardhmes, kjo ndarje dy vjeçare do të krijoje vakum të dhimbshëm, si dhe do na pengojë të plotësojmë e ndreqim mjaft boshllëqe të tjerë”.

– “Të tha në ç’vend do shkosh”? – pyeti ajo me zë drithërues.

– “Atë çast isha mjaft i tronditur, nuk më shkoi fare mëndja ta pyesja për vendin ku do kryhet shërbimi”, – iu përgjigja unë për të mos ia shtuar më shumë ngarkesën emocionale, e cila mund të sillte përlotje dhe ngashërime.

– “Besoj ti do jesh më i madh në moshë nga gjithë ushtarët e tjerë”, – tha ajo duke psherëtirë.

– “Sipas pohimit të Engjëllit, jemi tre ose katër të kësaj moshe”.

– “Të vjen ndopak rëndë, që do jesh në një repart ushtarak me tetëmbëdhjetë vjeçar”? – shtoi ajo me vështrim të trishtuar.

– “Kjo më shqetëson më pak, për të mos thënë nuk më ngacmon fare, pasi kam aftësi të krijojë marrëdhënie miqësore me të rinjtë” – iu përgjigja unë, për t’ia lehtësuar disi peshën ndrydhëse të ndarjes së shpejtë.

– “Do të dish kush ta ka punuar këtë rreng”? – pyeti

ajo.

– “Nuk është vetëm ky shqetësim”, – ia ktheva unë.

– “Ndoshta pandehma ime që do të shpreh tani, nuk qëndron. Por mua gjithnjë e më shumë më mbushet mendja, se e kanë sajuar enkas shërbimin e detyruar ushtarak, për të na shkaktuar dhimbje shpirtërore. Jam mijë për qind e bindur, se keqdashësit zemër zinj shpresojnë që ndarja e përkohshme do krijojë krisje ose çarje mes nesh, nisur nga thënia e përdorur shpesh:

‘Larg syrit, larg zemrës’. Pse e kam këtë dyshim? – do thuash ti. Sepse po ta kishin patur ndërmend të më merrnin ushtar, do të më thërrisnin qoftë një herë të vetme, gjatë këtyre tre vjetëve. Përderisa kjo gjë në të vërtete s’ka ndodhur, nënkupton atë që përmenda pak më sipër, se këtë marifet pa tjetër e kanë stisur pushtetarët shpirtzinj”.

– “Duke patur parasysh këtë pandehmë, kam frikë mos spiunët e atjeshëm të kurdisin ndonjë rreng të poshtër…”, – tha ajo me sytë e rrëmbushur me lot, gati të shpërthente në ngashërime.

– “Nuk përjashtohet as ky rast. Prandaj do tregohem mjaft i kujdesshëm e i vëmendshëm, mos t’ju lë asnjë shkas”! – premtova unë për ta qetësuar.

– “Po sikur të ngarkojnë në detyrë tepër të vështirë e të rrezikshme, si do veprosh”? – pyeti ajo me ankth.

– “Sigurisht në fillim do pranoj, duke përdorur gjuhën e detyruar ushtarake: Si urdhëron! Më vonë do mundohem t’iu shpjegoj vështirësinë e përmbushjes së detyrës, që urdhërdhënësit t’i ndryshohet mendja. Në qofte se ky bindet, që kjo detyrë për mua nuk shkon, i duket e pa përshtatshme, ndoshta edhe mund të tërhiqet, dhe ia jep një ushtari tjetër, më të ri në moshë, i cili ka qejf të duket para shefave. Po përveç kësaj ç’gjë tjetër të shqetëson”? – shtova me vështrim të ngërthyer mbi sytë e saj.

– “Sigurisht do më këputi malli për të patur pranë dhe të dëgjoj zërin tënd! Kuptohet, të njëjtën gjë ke për të ndjerë dhe ti. Të dy mendjen ditë e natë do ta kemi, tek njëri tjetri. Por ti do ta kesh më të vështire. Pasi unë jam në shtëpinë time, jetoj pranë prindërve, një pjesë të kohës e kaloj në shkollë: me nxënësit, shoqet dhe shokët e punës. Kurse ti, do jesh i ndrydhur mes rregullores dhe disiplinës së ngurtë ushtarake; do ushqehesh vazhdimisht me çaj, supë, fasule, pilaf e makarona çdo ditë; do flesh në baraka me dyshekë kashte e batanije të kohës së luftës. Dhe sikur të mos mjaftojnë këto, do të mungojë liria e veprimit, e cila cilindo e vret më shumë se çdo gjë tjetër”.

– “Mbijetesa në kasollen e lopës gjatë këtyre viteve, ka patur një anë të mirë: më ka stërvitur, kalitur, t’i përshtatem më shpejt kushteve të vështira të jetës. Në rastin më të keq, barakat e repartit mund të jenë gati njësoj me kasollen e lopës, në qoftë se repartin ushtarak e kanë ngritur me shpejtësi në një vend të thyer malor…! Për sa i përket fjetjes dhe ushqimit monoton, do mësohem. Pas mungesës tënde, liri-dalja zë vendin e dytë. Mjaftojnë katër orë të më japin liridalje, që të fluturoj drejt teje”!…

– “Pak hoqe këto tre vjet!… Pse duhen shtuar akoma dhe këto dy vjet ndarje”?!…. shtoi me ankesë përmes ngashërimeve.

– “Sepse smirëzinjtë nuk ngopen kurrë me fatkeqësitë e të tjerëve”! – i thashë unë.

– “Por, nuk kanë për t’ia dalë dot të na thyejnë”! – plotësoi ajo.

– “Sepse dashuria jonë hyjnore forcohet gjithnjë edhe më shumë”! – shtova me buzëqeshje duke e puthur.

– “Pavarësisht kushteve të vështira të jetesës, të cilat nuk janë të njëjta me ato të qytetit, dashuria ime për ty kurrë nuk do të zbehet”!… tha ajo duke u shtrënguar pas meje, dhe fshehu kokën të mos i shihja sytë e përlotur.

– “Nuk ndjej asnjë pendesë pse do punoj tërë jetën në fshat. E quaj veten me fat që Perëndia më dhuroi dashurinë për ty, dhe më bekoi ta lidh jetën time me djalin e zemrës…”, – shtoi e lumturuar.

“Pikërisht kjo forcë hyjnore na bashkoi dhe do na mbajë të lidhur për jetë”! – ia ktheva unë duke e puthur.

– “Kjo na jep kurajë e durim të përballojmë çdo të papritur, sado befasuese. Kjo do ushqejë besimin në të ardhmen, t’i përkushtohemi me mish e shpirt fëmijëve, që do lindim! Duke e parë jetën nga ky këndvështrim hyjnor, ke shume të drejte kur thua se jemi me fat, që u lidhëm me njëri tjetrin”!…

– “I ke treguar nënës që së shpejti do shkosh ushtar”? – pyeti ajo e shqetësuar.

– “Këtë detyrë e mori përsipër Stavri”.

– “Ai kishte dijeni më parë, apo e biseduat bashkë para se të vije këtu”?

– “E njoftoi ‘Çapi’, zagari i gjahut, – i thashë unë duke buzëqeshur. – Tani të takon ty detyra mjaft e rëndësishme: sapo të kthehesh në shtëpi, duhet të bisedosh shtruar me mamanë. Ka rëndësi të tregohesh e duruar dhe e kujdesshme, pa emocione dhe përlotje, që të mos i shkaktosh nënës Ulë shqetësime. Në shpjegimin tend, duhet të theksohet çështja më kryesore: që fejesa jonë të kryhet në fillim të marsit. Pasi data e ikjes ushtar, mund të jetë ose fundi i marsit, ose në ditët e para të prillit”.

– “Kaq shpejt”?!… – tha ajo me një klithmë të brendshme, gati të ngashërehej.

Ashtu si i pohova Argilinit, mua nuk më shqetësonte aq, cili keqdashës ma punoi rrengun, se sa sajesa e prapaskenës; në ç’ligj u mbështetën krahë-marrësit, për të më kurdisur këtë dramë të re. (Sipas shpjegimit të një juristi me përvojë, ngritja ime ushtar, përbën fund e krye veprim të pa ligjshëm, për faktin se jam i internuar, i kam humbur të gjitha te drejtat e detyrimet qytetare. Dhe me këtë status, nuk më lejohet të marrë pjesë as në forcat e armatosura e, as në Fermat Bujqësore Ushtarake, ose shkurt NBU, të ngritura enkas për djemtë e prindërve të deklasuar.

Në Kodin Penal, nuk ka asnjë nen përjashtues, që tërheq vëmendjen e shefave të Degës Ushtarake, apo i udhëzon të thirren ushtar të dënuarit nga Komisioni Qeveritar i Internim Dëbimeve, pasi duke mos patur dokument identiteti, na ndalohet rreptësisht çdo lëvizje nga njëri vend në tjetrin, pa lejen e posaçme të Degës së Brendshme. – Megjithatë, – theksoi në fund juristi, s’duhet harruar që tek ne çdo gjë bënë vaki, ndaj herë pas here, ndodhin përjashtime. Sepse përveç Kushtetutës e kodeve të ndryshme ligjore, veprojnë forca të errëta, që i binden postulatit: kur të zë kadiu, s’ke se ku e bënë davanë).

Kur ne të dy po shqyrtonim lajmin e hidhur të ikjes ushtar, që u shfaq si stuhi drithëruese dhe na përmbysi kokëposhtë të gjitha ëndrrat tona rinore, bashkëshorti i motrës së madhe, Stavri, po shtjellonte një bashkëbisedim të shtruar me nënën Anë, mundohej t’i mbushte kësaj mendjen, se çdo qytetar i këtij shteti ka detyrime ndaj vendit të vet, ku ndër më kryesorët renditet i pari mbrojtja e Atdheut, sepse kryerja e shërbimit ushtarak, cilësohet detyrë mbi gjitha detyrat”.

– “Besoj duhet të kujtohet se e njëjta gjë ndodhi me mua…”, – vijoi ai mëtej, për t’ia zbutur tronditjen: – “E mban mënd? Menjëherë pas fejesës, shkova ushtar”!

– “E kam parasysh. Por vajtja jote për të kryer shërbimin ushtarak, ishte krejt ndryshe nga kjo e tanishmja. Së pari ishe në moshë të re, nuk mbaje mbi shpatullat e tua barrën e familjes. Ndaj shkove me qejf e krenari, si komunist. Kurse me tim bir, po ndodh e kundërta: Në njërën anë e quajnë të deklasuar, të internuar, armik! Në anën tjetër, e thërresin ushtar! Këto të dyja nuk shkojnë bashkë. Sipas mendjes time, ngritja e tanishme ushtar, bëhet enkas me kast të lig, nga shpirtzinjtë! Akoma nuk janë ngopur me vuajtjet tona”?!

– “Unë e kuptoj gjendjen tënde shpirtërore: me që je e shqetësuar nga tronditja, të duket thirrja e tët biri ushtar, si veprim i qëllimshëm”, – deshi Stavri ta qetësojë.

– “Edhe pse nuk jam as avokate, as gjykatëse e as prokurore, e di që dy gjëra të kundërta asnjëherë nuk rrinë dot bashke. Për këtë, asnjë filozof s’ma mbush dot mendjen. Rasti i vajtjes tënde atëherë ushtar, ka të përbashkët me rastin e tanishëm të tim biri, vetëm thirrjen pas fejesës. Në të vërtetë janë shumë të ndryshëm, nuk mund të krahasohen. Sepse përveç arsyeve që përmenda më sipër, ka dhe të tjera: yt atë kishte shtëpi e katandi, nuk e ndjeu ikjen tënde si unë tani, pasi kishte dy djem të tjerë dhe jetesën të siguruar. Pastaj mos harro: ti ishe i shëndetshëm, si vig qumështor, i parrahur nga hallet. Kurse im bir përjetoi këto vite llahtar, u trajtua njësoj si armiqtë, hoqi të zezën e ullirit! E mban mend sa e madhe ishte familja ime, kur u fejove dhe u martove ti? Sa kanë mbetur sot?… Prandaj pas ikjes ushtar të djalit të fundit, më duket vetja si kërcure e vetmuar”!

– “Nuk je e vetmuar”! – u mundua Stavri ta ngushëllojë:

– “Ke çupën e madhe me kater djem. Ke djalin e madh me katër vajza dhe një çun. Djali i vogël po çiftohet. Së shpejti edhe vajza e fundit, do shkojë në fatin e saj. Kështu që në trungun e familjes së madhe, kanë mbire filiza të rinj. Ti, si nënë dhe gjyshe, duhet t’i gëzohesh kësaj shtese…”!

– “Ah, more bir! – psherëtiu thellë nëna Anë. – Lavdi Zotit, çupa e madhe dhe djali i madh, janë prindër të gëzuar. Kështu qofshin deri në fund! Kurrë mos u pafshin sytë gjema të llahtarshme, si ato që panë sytë e mi”!

– “Ti duhet ta dish më mirë se unë, pasi ke tre vjet që jeton në fshat: në familjet fshatare ka një traditë të mire, festohet ikja e djalit ushtar”, – tha dhëndri për të shmangur lëndimet e të shkuarës së hidhur. – Prandaj tani të gjithë e kemi për detyrë, me ty në krye, t’i qëndrojmë sa më pranë djalit tënd dhe kunatit tim, duke patur parasysh që atë e bren përbrenda meraku për nënën e motrën, si do ta siguroni ju mbijetesën, me gjithë që unë ia bëra plotësisht të qartë, se shumë shpejt Dhora do punësohet në kooperativën e rrobaqepësisë, në Kolonjë, nëna Anë”.

– “Kush ta tha këtë lajm”? – e pyeti me mjaft interesim.

– “Ata që ju dhanë shtëpi dhe morën vendimin e punësimit të tët biri në arsim, e kanë për detyrë të sistemojnë dhe vajzën…! Një gjë me duket e habitshme” – e ndërpreu vjehrra me vështrim pyetës: – “Si ta ha mendja ty: s’kishte mundësi shefi i madh i partisë”?!…

– “E mora vesh ku do dalësh, – ndërhyri dhëndri: – Duhet ta kemi të qartë që mirësitë nga shefat e mëdhenj, kryhen brenda rregullave, pa shtrembëruar ligjet e shtetit, sidomos kur bëhet fjalë për detyrën më të shenjtë, mbrojtjen e Atdheut, shërbimin ushtarak”.

– “Këtu e kam dhe unë fjalën: nuk gjendet dot mynafiku, që i shtrembëron ligjet e shtetit, sipas interesit dhe urdhrit të kadiut”?

– “Edhe pse nuk jam specialist për ligjet ushtarake, e them me bindje: tek ne, askujt nuk ia mban të marrë mbi vete një përgjegjësi, kur e di që një ditë do zbulohet dhe do shkojë në gjyqin ushtarak”, – kundërshtoi Stavri.

– “Ti pandeh se prokurorët dhe gjykatësit janë kaq të drejtë, si ty? Rrallë gjen të tillë, një në njëmijë. Pjesa tjetër janë pjellat e shejtanit: të lajnë e të lyejnë, dhe gishtin në prapanicë. Mashtruesit janë të zotë të na hedhin hi syve. Kush mban në dorë gurin dhe arrën, di ta kurdisi hesapin që kandari të anojë gjithnjë në anën e tij”, – tha me bindje nëna Anë.

– “Unë nuk them që tek ne s’ka mashtrues, sepse këta lindin në çdo kohë e në çdo vend. Por ama nuk ua mban të dalin fare hapur, pasi dinë ta ruajnë veten. Ndërsa po të marrim rastin tonë konkret, duke e ditur mashtruesit që djalin tënd dhe kunatin tim, e përkrah sekretari i Parë i Komitetit të Partisë…”!

– “Më dole në shteg aty ku duhet: sipas shpjegimit tënd, firauni mashtrues ka mbështetës të fuqishëm, me peshë shumë të rëndë në qeveri…”, – e kundërshtoi nëna – “Hiqe nga koka këtë dyshim”! – e ndërpreu i nervozuar dhëndri.

– “Jo vetëm nuk e heq, por jam e vendosur ta ndjek këtë çështje, derisa të sqarohem”! – ia ktheu prerë nëna Anë.

– “Çfarë ke ndërmend të bësh”? – pyeti i trembur Stavri.

– “Do takoj shefin e madh të Partisë, dhe do t’ia shpreh këtij fare hapur mendimin tim, pa pikë droje”! – theksoi ajo me të njëjtin ton.

– “Meqë e paske kaq të fiksuar dyshimin, bëj pak durim deri nesër…”!

– “Do shkosh ti ta takosh shefin e madh”?!… – pyeti e habitur nëna Anë.

– “Sigurisht, shefin e madh nuk e takoj dot. Por ndihmësin e tij mundem. Dhe këtë do ta bëj vetëm për t’i shprehur këtij merakun tënd, – nxitoi ai t’ia zbuste nervozizmin. – Por vajtja ime bëhet me një kusht: në qoftë se ky kthen afërsisht të njëjtën përgjigje, si timen, atëherë duhet të mbushet mendja”. Memorie.al