Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin “Sy m’Sy” me qytetarët në rrjetet sociale iu përgjigj kritikave të qytetarëve për një projekt të ndërtimit të ujësjellësit të ri që nis në zonën e Tragjasit, tek burimet e Izvorit.
Banorët kanë dalë në protestë kundër këtij projekti për furnizimin e zonave bregdetare me ujë, por Rama thotë se është bërë një studim i mirëfilltë dhe ky projekt nuk dëmton banorët e zonës. Kryeministri shtoi se nuk mund të bllokon projektet dhe thekson se në fund të gjithë do të jenë të lehtësuar nga projekti.
“Ky është një diskutim që ka në thelb një pikëpyetje shumë të madhe për mua që si ka mundësi që të bihet pre e një nuk e di se si ta quaj, por një konfuzioni të tillë po e quaj sepse mbrapa kësaj ka burime helmi që kanë derdhur sasira të caktuar në mendjen e tragjasiotëve, por përtej këtyre. Pyetja është shumë e thjeshtë që si është e mundur që të imagjinohet që një qeveri të marri ujë që i duhet disave për t’jua dhënë disa të tjerëve. Këtu është futur brenda edhe kuçedra, pra oligarkët që po marrin ujin.
Janë bërë matje të vazhdueshme të prurjeve. Janë bërë analiza të vazhdueshme për të arritur në konkluzionin që çfarë prurjesh ka, çfarë prurjesh i duhen mjedisit ekologjik. Sa prurje janë ato që duhen për konsumin lart atje. Sa flas për konsum, sa prurje ikin në det. Të gjithë këto aspekte teknike dhe mbi bazën e këtyre analizave është bërë projekti i cili po e filloj nga A synon që edhe vetë zona atje, banorët atje, shtëpitë që furnizohen me pikatore se sistemi është ndërtuar në vitet 50 a 60 ndërkohë një pjesë tjetër e banorëve kanë bërë investime personale për të marrë ujë me puse. Ndërkohë ne shohim me një potencial shumë të madh turizmi të trojeve nga vetë banorët që ka emigrantë që mund të kthehen dhe kështu që edhe kanalizimet që mungojnë janë pjesë e projektit. Ndërkohë do të ndërtohet ujësjellësi që do të furnizojë edhe pjesën e poshtme. Dua të shpjegoj që një projekt bëhet patjetër me profesionist dhe patjetër ka oponencë dhe bazohet në matje që krijojnë idenë e plotë për mënyrën dhe sasinë e shfrytëzimit dhe ka një shifër shumë domethënëse”, tha Rama.
Kryeministri ka folur edhe me shifra sa i përket prurjeve nga ky burim. Rama theksoi se do të ketë një shpjegim shterues lidhur me këtë projekt.
“Prurja minimale e matur dhe matjet janë bërë në periudha Shtator, Korrik, Gusht dhe janë matje të bëra në vite 2021, 2022 ka edhe matje të 2018. Kështu që prurjet minimale janë 700 litër në sekond. Nga të gjithë shfrytëzimi në maksimum që do t’i bëhet këtij burimi për shkak të ujësjellësit është dy herë më i vogël se prurja minimale. Në të gjitha rastet ajo që mbetet e pa shfrytëzuar nga sistemi i ujësjellësit është mëse e mjaftueshme për të gjithë ekosistemin. Tani si ta shpjegoj un që kjo është çështje teknike dhe jo që shihet me sy. Kjo gjë shikohet me instrumenta shkencorë dhe analiza progresive në vite.
Të ishte një hidrocentral do ta kuptoja të gjithë këtë. Ujësjellës për të pirë ujë si mundet të thajë dynjanë duke u shfrytëzuar për nevojat njerëzore të pirjes së ujit. Është komplet alogjike dhe duke pasur shqetësim ky projekt është vonuar dhe është kërkuar nga ana ime mendim nga ekspertë të tretë dhe të gjithë dakordësojnë që këtu nuk ka asnjë kërcënim. Është komplet nonsens. Ky është një burim dhe janë të Shqipërisë jo të një komuniteti dhe vihen në shërbim të Shqipërisë, por pa cënuar asnjë. Gjithsesi i kam kërkuar drejtorit të përgjithsëhm dhe kryetarit të bashkisë të bëjnë një shpjegim shterues në një televizion në Vlorë dhe pastaj do të shfaqem edhe vetë atje”, theksoi Rama.
Rama ndër të tjera u shpreh optimist për realizimin e këtij projekti.
“E fundit sa i përket policisë, projektet nuk mund të bllokohen dhe policia nuk është shfaqur aty se papritur u kujtua një fadromë të vijë, por sepse ka muaj të tërë që bëhet përpjekje për sqarim. Unë kam shumë besim që duke dëgjuar mirë në rradhë të parë ekspertët do të realizojmë projektin dhe të gjithë do të jenë të lehtësuar”, tha Rama.