Ballina Dossier Ishin tre lisa të qëndresës shqiptare që u thyen prej furtunës

Ishin tre lisa të qëndresës shqiptare që u thyen prej furtunës

22
0

Nga Enver Memishaj

Nëpërmjet Avni Rustemit e dojshe Vlonën e Flamurit mâ shum se qytetin tem. Të dy i shifshe të lidhun e të mbështjellun po me ato gëzime, po me ato idhnime. Shpresën e Flamurit të ngritun, nuk e përkëdheli kush mâ tepër se, Vlona e lumnueme e Shkodra e dishrueme…    Zef Pali

Mâ i fortë se guri

Vendin e Abdylit e zuni Lumoja, pushkën e Ali Pashës e kapi Hysniu, gojën e Abdulla Drenit e trashigoi Skënderi. Kúr qiellin tonë e mbulojnë rê të zeza, ndihet kushtrimi i papritun që del nga thellësit e dheut, ku flenë dhe zgjohen dëshmorët. Retë i shkyejn vetëtimat, botën e trondisin shkreptimat, rroposen, plane e stane t’armiqve shekullor! Në dritën e kësaj rropame na del Shqiptari i shtruem mâ i fortë se guri. Qindron në vend të vet dhe bâhet shkamb. Se lot kush nga vendi.

“Ku do t’i marri prijsit e kapidanët vendi Ilir në ditët e pushtimit të tij, në ditët e shtrëngatës së kuqe?”. Shqiponja historinë pyeti.

Por, Abdyl Frashëri i Lidhjes së Prizrenit nuk pat nevojë ta shkundi të Birin, ta ngjisi mbí fletë shqipje, t’i tregojë se ku âsht zi nuk âsht bardh për Shqipnínë. Dhe Mid’hat Frashëri ndezi llampën. Në kalánë e mpime u ndie nji zâ, në pyrgun mâ të naltë u pa një dritë. Nji altar kërkoi, e gjeti, e ngrehi brezi i rí: në vorr të Naimit. Aty besnikët u mblodhën krye ulët dhe zêmër lëshuem. Prej aty besnikët u shprazën ball-naltë e zêmër hekúr…

Mbas flamurit pa sopata, pa shêje të huej. Prej këndej kushtrimi dhe vrulli arriti e kaploi Vlonën. Qyteti – djep i flamurit – shpërtheu ditën e parë të flamurit në robní. Si nisi, krisi! Atjé tê Ura e Gjormit, Hysni Lepenica i prini Kombit kryengritës. Skënderi, Skënder Muço u foli bukúr, ambël, ndigjuesve të heshtun që tashma flitshin veç me fshikullima plumbash. Me “Ta, mbas “Tyne, u shtuen radhët e trimave, që prej Kosove e deri në Çamëri. Me “Ta, sa qeleshe bardhë për vend u bânë flî! Rânë e na lânë, kúr lufta e vogël u bâ e madhe. U këput Hysniu nga plumbat që trupin ia bânë shoshë. Balli Kombëtar i fali Atdheut “Burrin përmbí Burrat”. Mâ vonë u nda Skënderi kah vorri që hapi frika e të huejit, mënija e mikut t’armikut.

Nji varg i pa mbaruem dëshmorësh, kunorë, kunorë u bâ rreth flamurit, rreth vorrit të krye ushtarit… U duk se dritë mâ s’do të bâjnë plumbat, u duk se fjalë mâ s’e qesin gojët guximtare. Kështú ndodhi kúr na la Lumoja. Ai flamur, valë lirije, ajo fytyrë, mall Shqipnije. U ndalën fjalët në pendë, u mbyllën shpresat në zêmra katrane, u tha: “Si mund të qindrojë Balli pa krye?”

Por, njimijë Balle u çuen nga Vorri i Frashërit, u prekën, u puthën nga fryma e shénjtë, u ngrohën me punën e pa ndërpreme, u fuqizuen me forcën e shokëve të gjâllë, me gjakun e shokëve të ramë nji mbas nji…

E zymtoi, por nuk e këputi në mes Ballin Kombëtar kosa e pamëshirueshme e vdekjes. As drapni i kuq që u lëshue pa prâ mbí né, mbí trupin e cunguem të Kombit, s’e thau “Shtizën e Flamurit”. As mohimtarët ball ramë, që mohuen nji fjalë të dhânun, që patën frikë nji rrugë të vështirë, nuk e lodhën ushtrinë trime.

Qindroi, qindron, ndërtesa e Lumos, pse Balli âsht bâmë shpírt. Luftoi, lufton çeta e Lepenicës, pse Ball do të thotë qindresë. Ushtoi, ushton, fjala e Skënderit pse pa lirí kombëtare, pa drejtësí shoqnore, nuk ka Shqipní – Shqipní Shqiptáre. Nuk pushon goja që nuk mund të mbyllet, nuk ndalet trimi edhe pse vritet…

Idetë nuk vriten as nuk kositen. Nuk bâhen flî. Idealet ngrihen mbí Vorre Dëshmorësh, mbí supe punëtorësh dhe qindrojnë atjé n’Atdhé, këtu në mërgim si gurë të pa trandun… Balli âsht mâ i fortë se guri.(Gazeta Flamuri, Nr. 115, 31.10.1959. Flaka  f. 136. Lumoja – Mid’hat Frashëri; Hysniu – Hysni Lepenica; Skënderi – Dr. Skënder Muço.)

Në Mukje

Në Mukje, në nji strofull pemësh shkova për me njoftë s’afri Hysni Lepenicën. Ia kisha ndëgjue zánin në qendrën e shtypit të fshehtë, ku punojshe për Ballin. Ia kisha lakmi trimnínë që tregoj në Luftën e Gjormit. Më kishte pëlqye kanga që i thuri për këtê fitore të parë Dhimitër Bala…

Afër Hysniut ishte Skënder Muço, fytyrë simpatike, gojë ambël me bisedë të rrjedhshme. Paraqiste gjithnji probleme për t’ardhmen e Shqipnisë. Më tregoj:

“Duke udhëtuar nga malet e Vlorës për në Mukje, jemi takuar disá herë me batalione fashiste, që iknin, porsa na shihnin duke bërtitur: “i banditi”.

I ndoqëm në një rasë, këmba – këmbës, i mblodhëm milicët e shpërndarë dhe të friksuar, dhe unë u mbajta në gjuhën italisht këtê bisedë: “Nuk jemi kusarë, por çlirimtarë të vendit tonë. Ju keni pushtuar nji tokë që nuk është e juaja. E dimë se fajin e kanë këmishat e zeza të Romës, prandaj duhet të kuptoni se né, si popuj nuk e urrejmë njëri-tjetrin. Po afrohet koha që secili të gëzojë vendin e vet pa u rënë në qafë të tjerëve”…

Skënder Muço ishte mjaft i tërhequn nga parimet e socializmit italian. Më tha: “Qe partija socialiste ajo që i dha dorë luftës së Vlorës, më 1920. Duhet mejtuar se sido që të zhvillohet çashtja e Ballit pas lufte, Organizata “me çlirimin e vendit” kryen punën e saj. Duhen shkarkuar disá elementë të grumbulluar në ditët e nevojës. Do të vijë menjëherë çashtja e formimit të partive, âshtu siç e kërkon një shtet demokratik. Shpallja e një partije social-demokrate do të na lidhte me Evropën e zhvilluar me drejtësí shoqërore. Në anën tjetër gjithë këta mijra antarë do ta vazhdonin punën e ndërtimit të Kombit, duke e kthyer Ballin në nji parti të madhe popullore, e cila do t’i prijë mbarë ndërtimit të Kombit”…

Në bashkëpunim me aleatët anglo – amerikan

Qershor 1944. Me misionin amerikan, me bazë në Tragjas të Vlonës, me vonesë ishte takue Skënderi. I kishte dhanë nji raport me hollësi për Ballin Kombëtar. Kishte përshkrue veprimet ushtarake kundër komunistëve. Kishte spjegue arsyet e pezullimit të sulmeve kundër nazistëve. Bisedën e bame ia shtroi Komitetit Qendror të Ballit. Përshtypja që kishte pasë ishte se Amerikanët e shikojshin me sy të mirë lëvizjen tonë; nuk dojshin që Shqipnija të përpihej nga vala e kuqe. Komanda gjermane i kishte marrë vesht nga spiunët këta takime.

Vlona, qendër e përpjekjes kombëtare, gjindej e turbullueme shum mbas vrasjes s’Azis Çamit, që komandonte me autoritet fuqitë e Ballit n’atë krahinë. Nji çthurje fuqishë dhe veprimesh kishte ardhë tue përparue. Grindja dhe smira kishin zânë vendin e ujdisë. Bejlerët e mbetun ishin vumë në shërbim të gjermanëve. Filluen të bâhen lista njerëzish të “dyshimtë”. Bashkë me shum të paditun si partizanë, u arrestuen edhe antarë të Ballit, të cilët u dërguen në kampet naziste të Prishtinës, të Beogradit e tjetërkund. Paditej për këta veprime prefekti Vlonës.

Shkoi në qytetin e trazuem vetë Kryetari i Ballit. Gjendja u keqësue. Nisën të formohen toga qeveritare me uniforma, pshtjellimi u shtue. Vetëm komunistët përfituen nga kjo përmbysje për t’u paraqitë si të vendosun kundër pushtuesit. Tue pamë se malet e Vlonës ishin tue u pushtue nga fuqitë komuniste, ndërsa fuqitë e Ballit zmbrapseshin nëpër katunde besnike ose në qytet.

U bâ në Tiranë nji mbledhje e madhe intelektualësh. Skënder Muçoja qe folësi mâ i spikatun. Paraqiti gjendjen e vështirë, e cila do të bâhej e dëshpërueme në qoftë se prijësit me shkollë do të vazhdojshin të braktisin malin e rrezikshëm, dhe çetat që bjerrin guximin dhe qëllimin, kúr humbin krenët e përgatitun!… Gjendja, pra, duhej rregullue pa vonesë. Besimi duhej vumë në vend. Shkaktarët e krizës morale duheshin zhdukë…

Mirëpo përgjegjësit e këtij shkatrrimi qenë mâ të shkathët!…

Nji ditë erdh lajmi nga rrethet e Vlonës, se nazistët, me nji pusi të përgatitun, kishin kapë, Skënderin, Yzeir Ismailin dhe Zako Mezinin. Gjermanët dojshin të zbulojshin qendrën dhe planet amerikane. Ndërmjetësit e kësaj poshtërsije, kërkojshin greminën e Ballit…

*        *       *

Fati i tre shokëve tonë t’arrestuem në Vlonë nga Gjermanët nuk po merrej vesht. Nuk mjaftonte urrejtja e opinionit kombëtar për të dënue dorasin.

Më thânë të shkojshe dhe ta shtrojshe hallin tê Regjenti, At Anton Harapi. E gjeta me nji revolver ëalter mbí tryezë, te Kuvendi Françeskan i Tiranës. Si antar i Këshillit të Naltë, e kishte edhe Ai jetën në rrezik. I kujtova fjalimin e prekshëm që pat mbâjtë në Shkodër, kúr u bartën eshtnat e dëshmorëve, Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli: “Ndalni-u burra…”.

I thashë: “A duhet të presim ditën e nji fjalimi, apo të ndalim gjaksorët e njohun?!”.

Më premtoi se po ndërhynte me shpirt ku duhej, për të shpëtue Skënderin me shokë.

Pritëm nji lajm mâ pak të keq, se sa atë që na derdhi lotët: “Skënder Muço, Yzeir Ismaili, Zako Mezini u gjetën të vrâmë afër Lushnjes, edhe të shtimë të tre së bashku në nji gropë të zezë. Vrasja e tyne ishte bâmë menjiherë mbas arrestimit” Armiqt e njohun dhe të panjohun nuk kishin humbë kohë…

Më dërgoi Kryetari për të ngushëllue familjen e Zakos. Fjalët më dukeshin të kota, por të detyrshme. “Durimi” i uruem tingëllonte si pare kallpe (pa vlerë)…

Dikush e ndërroi bisedën e mortshme, me atë të Luftës Civile.

Vjershëtori Ali Asllani, që ndodhej aty, më dha nji mësim të mirë historije: “Kam qenë me Princ Ëied-in, kúr braktisëm Durrësin me 7 të Shtatorit 1914 më tha:

Ishte hapë fjala se rebelët me mija, kishin rrethue kryeqytetin e bregdetin. Nga anija që na mori, numruem vetëm disá qindra rebelësh, me pushkë e pa pushkë, që zunë vendin tonë! Mos të daltë záni për të mirë ose për të keq!… Para se të pushtohet vendi, pushtohet opinioni…”

*

Skënder Muço, orator i radhës së parë, buzëqeshur e zemërluan një nga udhëheqësit e masës së re shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar u kap prej policisë gjermane dhe tradhëtarëve të vendit në gusht 1944 dhe u pushkatua bashkë me dy shokët e tij Yzeir Ismailin dhe Zako Mezinin. Ishin tre lisa të qëndresës shqiptare që u thyen prej furtunës.

(Gazeta “Flamuri”, Romë, nr. 45 -46, dt. 31.10.1953, f. 3. Materialet janë nxjerrë nga Flaka  “Kuq e Zi”, Kallzim.  Botue për herë të parë në vëllimin e posaçëm të librit Albania, më 1970 dhe pjesët tjera në numrat e gazetës “Flamuri” (1976-1980). Âsht nji kallzim që ka të bâjë me ngjarjet e qindresës. Prof. Zef Pali pat ndër mend ta plotsojë kallzimin dhe ta botojë si libër, porse vdekja nuk e lâ ta kryej veprën e nisun.

“Kuq e Zi” është ribotuar në librin “Flamuri, Flaka e pa shueme”, në dorëshkrim të Franc Palit, i biri Zef Palit.

*

1) Prof. Zef Pali, (1910-1977)

lindi në Shkodër. Studimet e larta i kreu në Firence. Në vitin 1941, shkon në Kosovë, përkrah 200 mësuesve dërguar atje bashkë me të shoqen Flora Pali (Lezhja), mësuese.

Ishte ndër të parët organizatorë të demostratave kundër fashizmit me organizatën “Balli kombëtar”, shtypin e së cilës e drejtoi për gati 30 vjet.

Në vitin 1944 largohet në Itali. Shkrimet e tij, që firmoheshin me pseudonimin “Flaka”, shënjojnë kualitet të veçantë në memorjen atdhetare të elitës së mërgatës sonë në botë. Prej vitit 1955 e deri në fund të jetës, punoi në Seksionin e Gjuhës shqipe pranë Radio Vatikanit. Orator i shkëlqyer, mjeshtër i shkrimit dhe i artikulimit, një mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe një luftëtar i pa kompromis i lirisë. Vdiq aksidentalisht në Romë, në vitin 1977. U varros me nderime të mëdha prej Mërgatës Shqiptare, në Nju Jork (Sh.B.A) , në varrezën “Ferncliff”, pranë varrit të Mid’ had Frashërit.