Ballina Ekonomia Kompensimi i pronave/ Qeveria shtyn afatin dhe rishpërndan fondin, mbeten në pritje...

Kompensimi i pronave/ Qeveria shtyn afatin dhe rishpërndan fondin, mbeten në pritje mbi 21 mijë qytetarë

23
0

Qeveria ka ndryshuar afatet për qytetarët që përfitojnë nga ligji për kompensimin e pronave.

Procesi i trajtimit dhe vlerësimit të kërkesave për kompensim prone, i cili duhej të përfundonte në vitin 2024, është shtyrë me tri vite dhe pritet të përfundojë brenda datës 31 dhjetor 2027. Pagesat për kompensimin e pronave do të mbyllen brenda vitit 2028.

Sipas ligjit të miratuar nga qeveria dhe botuar në Fletoren Zyrtare, Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) do të vijojë shqyrtimin e dosjeve të aplikuara përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave”.

Ndryshimet ligjore përcaktojnë se procesi i pagesës për vendimet përfundimtare të kompensimit do të përfundojë deri më 31 dhjetor 2028. Buxheti i shtetit do të miratojë çdo vit një fond financiar jo më pak se 50 miliardë lekë, që do të administrohet nga ATP për realizimin e procesit të kompensimit.

Qeveria parashikon të shqyrtojë mbi 7 mijë dosje ende pa vendim dhe të kompensojë mbi 25 mijë vendime të arkivuara. Fondi i paalokuar për vitin e dhjetë është rishpërndarë në katër vite, pa shtuar koston për buxhetin e shtetit, duke mbetur në vlerën totale prej 50 miliardë lekësh.

Problemet e kthimit dhe kompensimit të pronave janë një çështje e gjatë në Shqipëri, por ndryshimet ligjore të viteve të fundit synojnë përmbylljen e këtij procesi. Fatura totale përllogaritet në 116 miliardë lekë, ndërsa në dhjetë vitet e fundit janë paguar më pak se 10% e kësaj shume.

Në fund të vitit 2024, ATP zeroi detyrimet për pesë mijë pronarë, ndërsa 21 mijë të tjerë janë ende në pritje të kompensimit.