Historiani Gjet Ndoj diskutoi mbi një ide të tij të postuar në Facebook, ku thekson se “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” nuk ka qenë shkolla e parë në Shqipëri.
Në intervistën e tij, Ndoj nuk e mohon rëndësinë e hapjes së “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” dhe kontributin e rilindasve, por ai thekson se në fundin e shekullit të 16 dhe fillimet e shekullit të 17, në Shqipëri kanë ekzistuar shkolla shqipe, të cilat udhëhiqeshin nga kleri.
Megjithatë, ai pohon se për shkak se kleri ishte dhe u shpall armik i komunizmit, këto të dhëna janë lënë jashtë historisë.
“Është e vërtetë se “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” është hapur më 7 mars të vitit 1887 dhe ka qenë një meritë e madhe e Petro Nini Luarasit, Pandeli Sotirit, që ishte mësuesi i parë dhe drejtor i kësaj shkolle, dhe Papa Kristo Negovanit, si dhe të tjerë patriotëve, të cilët, në kushtet e një terrori greko-truk që ndalonte të folurën shqipe dhe mësimin në shqip, arritën të hapin mësimoren. Domethënë, hapën një shkollë shqipe mes këtij reaksioni, dhe kjo është një lëvizje për t’u admiruar dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme historike të kombit shqiptar, hapja e kësaj Mësonjëtoreje në kushte kaq të vështira”, tha historian Ndoj.
Ai shton se ideja që ka publikuar në Facebook nuk ka të bëjë me hapjen e “Mësonjëtores së Parë Shqipe”, dhe se ky veprim i rilindasve dhe patriotëve të asaj periudhe mbetet i patjetërsueshëm.
“Ajo që kam publikuar unë në Facebook ka të bëjë me shkollat që ekzistonin shumë më herët, dhe kjo ide që unë shpreha është e vërtetë. Këto shkolla ekzistonin në Shqipërinë e Veriut dhe në zonat bregdetare, si në Himarë, etj. Këto shkolla ishin të udhëhequra nga kleri katolik, dhe mësimi zhvillohej në kisha ose shkolla pranë kishave. Procesi udhëhiqej nga kleri, dhe këto shkolla kishin një rol të rëndësishëm për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe hapjen e shkollave shqipe”, theksoi ai.
Ndoj shpjegon se historinë e këtyre shkollave, përfshirë shkollat që ishin të drejtuara nga kleri katolik, nuk e kanë përmendur asnjëherë në mënyrë të plotë, pasi pas vitit 1945, komunistët e shpallën klerin armik.
“Kleri katolik ishte ai që ruajti gjallërinë e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e letërsisë shqipe. Ata krijuan mundësi për t’i mësuar shqiptarët të lexonin dhe shkruanin shqip, dhe shkollat shqipe u hapën falë punës së palodhur të klerit katolik”, tha Ndoj.
Historiani përmendi gjithashtu disa nga zonat ku këto shkolla kanë ekzistuar, duke përmendur vendet si Balldren, Pllanë, Vele, Shkodër, Shirq dhe Kraje.
“Edhe Meshari i Gjon Buzukut, i cili është përkthyer në shqip në vitin 1555 është një shembull i rëndësishëm i këtyre shkollave, dhe priftërinjt e kohës kanë luajtur një rol të madh në këtë periudhë”, shtoi ai.