Ballina Rajoni “Shko bëj ndonjë fëmijë”, kaos në parlamentin grek pas komentit të deputetit...

“Shko bëj ndonjë fëmijë”, kaos në parlamentin grek pas komentit të deputetit të Mitsotakis drejtuar koleges, kryeministri grek kërkon shkarkimin e tij

45
0

Në një atmosferë tepër të zjarrtë politike, në ditën e tretë të diskutimeve për mocionin e votëbesimit që kanë paraqitur 4 parti opozitare ndaj qeverisë Mitsotakis, kryeministri grek ka proceduar sipas rregullores së partisë së tij konservatore, duke dërguar deputetin Dimitris Kyriazidis në komisionin e Etikës, me propozim për shkarkimin e tij nga grupi parlamentar i kësaj force politike.

Kryeministri grek është shqetësuar nga komenti i papranueshëm i deputetit të qytetit të Dramës, në Greqinë Veriore, ndaj kryetares së Lundrimit të Lirisë, Zoi Konstantopoulou, që shkaktoi kaos reagimesh në parlament, raporton korrespondenti i Top Channel në Greqi Aleksandër Marku.

Ngjarja ka ndodhur kur deputeti kosnervator në një replikë me politikanen në fjalë e cila po fliste për fëmijët si shpresa për të ardhmen, i është drejtuar asaj duke i thënë  të shkonte të bënte një fëmijë, ose të birësonte. (Konstantopoulou u martua para dy vitesh, por nuk ka ende fëmijë).

Kyriazidis: Shkoni të bëni ndonjë fëmijë…

Konstantopoulou: Më thatë të shkoj të bëj fëmijë?

Kyriazidis: Ose të birësoni…

Menjëherë në sallë është shkaktuar kaos dhe deputetë nga të gjitha partitë kanë reaguar duke dënuar deklaratat e tij edhe për faktin se vazhdonte të debatonte duke mos kërkuar falje. Madje është kritikuar edhe nga zv/ministrja e Demokracisë së Re  Sofia Zaharakis, e cila ka qenë edhe ajo në të kaluarën objekt i komenteve të tilla, për gratë që nuk kanë fëmijë.

Edhe pse më pas deputeti kosnervator u detyrua të kërkojë falje, kryeministri Mitsotakis ka vendosur ta dërgojë në komisionin e Etikës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar.

Zhvillimi në fjalë ndodhi vetëm disa minuta pas fjalimit të ish kryeministrit Antonis Samaras, i përjashtuar edhe ai nga Demokracia e Re disa muaj më parë, i cili përsëri ka kritikuar qeverinë Mitsotakis duke deklaruar se nuk do të votojë mocionin e mosbesimit.

Sipas analistëve, klima është e rëndë për qeverinë brenda dhe jashtë parlamentit ku vazhdojnë mitingjet e protestës për tragjedinë hekurudhore të Tempit dy vjet më parë me 57 viktima.