Ballina Kulturë Festat e dyfishta – Nga Sevdail Hyseni

Festat e dyfishta – Nga Sevdail Hyseni

17
0

Festat e dyfishta

Mësuesi – hero i heshtur
Dita e Mësuesit, me urime plot,
Lule, përqafime, fjalë me lot.
Po mbaron festa, nis realiteti,
Paga s’mjafton për letra tualeti!
Shkon në klasë, pa nxënës te dera,
Bankat boshatisur, fjalët i merr era.
-Ku janë nxënësit?-pyet me kërshëri:
-Në Francë, Gjermani, Itali, Angli!..
Drejtori psherëtin, tund kokën në hall:
– Shkollat po shuhen, o mësuesi ideal.
Po, vitin tjetër nuk dihet, në protestë,
A do të kemi shkolla të mbajmë festë?
Në fund të ditës, me lule në dorë,
Mësuesi del i heshtur, në korridor.
Dikush me ironi i thotë një fjalë:
– A t’i marrim valixhet dalëngadalë?!
Po, ku të shkojmë? Nuk ka kuptim,
– Jo, te shtëpia, nesër kemi mësim.
Sa të ketë nxënës, sa të ketë dritë,
Deri sa shkollat të mbyllen një ditë!
Festa e grave
Se gratë, sot janë, qendër universi,
Me lule, dhurata e me fjalë interesi.
Me statuse pompoze në çdo ekran,
Me premtime bosh, e fjalët pa plan!
Në zyrë shefi me stil, flet i gëzuar:
-Gratë meritojnë, vend të nderuar!
U fal nga një çokollatë me lule-buqetë,
E, ngritja e rrogës s’është për moment!
Në parlament, shumë herë e pohon,
Me fjalë të mëdha, gratë lumturon.
Ndërsa në praktikë, prapë e mohon,
Një të drejtë, që vetëm n’letër jeton!
Në shtëpi, burrat s’janë sipas zamani,
Një filxhan vetë e çojnë te lavamani,
Një fshesë marrin, pa u bërë syri vër,
Dhe presin medalje për punën e bërë!
Oh, gra të dashura, sot gëzohuni fort,
Është dita Juaj, me pavarësi të plotë.
E, nesër kësmet, ktheheni në “paqe”,
Te burrat, që i keni sa për sy e faqe!

(Karikaturat marrë nga interneti)