Ballina Dossier Liri Belishova, Beqir Balluku, e Spiro Koleka/ Zbulohen fotot e rralla të...

Liri Belishova, Beqir Balluku, e Spiro Koleka/ Zbulohen fotot e rralla të delegacionit shqiptar në ceremonitë e vdekjes së Stalinit. Enver Hoxha, nuk mori pjesë…

49
0

Plot 72 vjet më parë, duke u gdhirë 5 marsi i vitit 1953, udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, Josif Visarianoviç Stalin, i cili kishte ardhur në krye të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, që në vitin 1924, (menjëherë pas vdekjes së Leninit), vdiq papritur nga hemorragji cerebrale, në rezidencën e tij në Kuntsevo në periferi të Moskës, vetëm një natë pasi kishte darkuar me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, anëtarë të Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Menjëherë pas kësaj, me vendim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, u shpallën pesë ditë zije kombëtare dhe në homazhet e zhvilluara para trupit të tij, në vendin e quajtur “Salla e Kollonave” (në qendër të Moskës), morën pjesë me qindra mijëra njerëz, nga i gjithë Bashkimi Sovjetik.

Po kështu, në të gjitha ceremonitë mortore që u zhvilluan deri më datën 10 mars, kur trupi i balsamosur i Josif Stalinit u vendos në Mazeoleumin e ngritur brenda mureve të Kremlinit, asistuan edhe delegacione të huaja, pothuaj nga të gjitha vendet e botës, nga të pesë kontinentet, kryesisht ato të vendeve socialiste dhe komuniste.

Midis tyre ishte dhe delegacioni zyrtar shqiptar, i cili përbëhej nga Spiro Koleka, Zëvendëskryeministër dhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, gjeneral-leitnant Beqir Balluku, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe anëtar i Byrosë Politike, Liri Belishova, anëtare e Byrosë Politike, sekretare e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe anëtare e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, anëtar i Komitetit Qendror, dhe sekretar i parë i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, Abdyl Këllezi, Ministër i Financave, dhe Vasil Nathanaili, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë, në Bashkimin Sovjetik.

Nga ato ceremoni mortore, në arkivat e shtetit shqiptar, apo më saktë në arkivin e ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, ndodhen vetëm dy foto dhe çuditërisht fotoreporterët dhe operatorët sovjetikë, duket se kanë fokusuar vetëm një pjesë të delegacionit zyrtar shqiptar, pasi aty duken vetëm Spiro Koleka, Beqir Balluku dhe Spiro Koleka, foto të cilat deri më sot kanë qenë të panjohura dhe publikohen për herë të parë nga Memorie.al.

Ndërsa Ramiz Alia, Abdyl Këllezi dhe Vasil Nathanaili, nuk figurojnë fare dhe siç theksuam pak më lart, në arkivat e shtetit shqiptar, nuk gjendet asnjë foto e tyre në atë ceremoni mortore, ku merrnin pjesë delegacione zyrtare nga të gjitha vendet socialiste të botës.

Po kështu, përveç Enver Hoxhës, në përbërje të delegacionit zyrtar shqiptar, mungonin edhe udhëheqësit e të tjerë më të lartë të partisë dhe shtetit shqiptar, siç ishin; Mehmet Shehu, (figura nr. 2 pas Enver Hoxhës), që asokohe mbante postin e Ministrit të Brendshëm dhe anëtar i Byrosë Politike, Tuk Jakova, zëvendëskryeministër, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së, si dhe Omer Nishani, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, etj.

Sa më sipër, një aspekt tjetër që ja vlen të ndalemi në këto pak radhë, është dhe mungesa e Enver Hoxhës në ato ceremoni mortore, i cili ishte i vetmi udhëheqës nga vendet komuniste të Europës dhe të Botës, që nuk mori pjesë në homazhet për vdekjen e Stalinit të zhvilluara në Moskë, edhe pse ai (Enveri), e konsideronte veten dhe ishte në fakt, një nga nxënësit më besnik i Stalinit, nga të gjithë udhëheqësit e Lindjes Komuniste.

Mungesa e Enver Hoxhës në ceremonitë mortore të Josif Stalinit, ka mbetur e mbuluar me mister për vite me rradhë dhe vetëm në vitin 1980, kur Enver Hoxha botoi librin ‘Hrushovianët’, dha versionin e tij zyrtar, se përse nuk kishte marrë pjesë aty!

Sipas kujtimeve të Enver Hoxhës, të botuara në librin ‘Hrushovianët’ diktatori komunist shqiptar, justifikohet për mospjesëmarrjen e tij në ato ceremoni mortore, për shkak se i druhej një eliminimi të mundshëm fizik të tij, nga pasardhësit e Stalinit. Ku në rastin konkret, ai citon Nikita Hrushovin dhe Lavrenti Berian.

Frikën, apo paranojën e tij, diktatori Enver Hoxha e “ilustron” me shembullin e vdekjes të udhëheqësit çekosllovak, sekretarit të Parë të Partisë Komuniste Çekosllovake, Klement Gotvald, i cili vdiq në Pragë, më 14 mars 1953, sapo ishte kthyer nga Moska. Varianti zyrtar ishte; “pneumoni akute”, ndërsa dyshohej se ai ishte helmuar me urdhër të Hrushovit, nga NKVD-ja (paraardhëse e KGB-së), në kuadrin e spastrimit të udhëheqësve stalinistë.

Një aspekt tjetër që ja vlen të ndalemi, është dhe fakti që paradoksalisht, Shqipëria e Enver Hoxhës, ishte i vetmi vend komunist në botë, që shpalli plot 15 ditë zie kombëtare, për nder të Stalinit. Ndërsa vetë Bashkimi Sovjetik shpalli vetëm 5 ditë zie kombëtare. Po kështu Enver Hoxha detyroi me qindra mijëra qytetarë shqiptarë, që në shenjë besnikërie të gjunjëzoheshin para monumentit të diktatorit sovjetik në Tiranë.

Gjunjëzimi i udhëheqjes më të lartë të PPSH-së, para monumentit të Stalinit në Tiranë, tregoi qartë besnikërinë dhe vijimësinë e palëkundur të komunizmit shqiptar, ndaj figurës së një prej diktatorëve më të egër komunistë, që ka njohur njerëzimi. Një akt i tillë, nuk ndodhi në asnjë nga kryeqytetet e shteteve komuniste të Europës dhe Botës.

Duke ju referuar filmimeve të kohës, jo vetëm në Moskë, por edhe në Varshavë, Berlin, Pragë, Budapest, Bukuresht, Sofje, Pekin, dhe Phenian, qytetarë të zakonshëm, thjesht u detyruan të vendosnin buqeta me lule në monumentet respektive të Stalinit, të vendosura në sheshet kryesore të këtyre kryeqyteteve.

Për ironi të fatit, vite më vonë, kur Enver Hoxha shpalli botërisht prishjen e marrëdhënieve zyrtare (politike, ekonomike, dhe ushtarake), me Bashkimin Sovjetik të Nikita Hrushovit, tre nga gjashtë pjesëmarrësit e delegacionit qeveritar shqiptar që morën pjesë në ceremonitë mortore me rastin e vdekjes së Stalinit, u dënuan nga vetë Hoxha, duke u akuzuar si “pro-sovjetikë dhe agjentë të Moskës”.

Përkatësisht Liri Belishova në vitin 1960, Beqir Balluku në 1975, dhe Abdyl Këllezi në vitin 1977. Ndërsa Belishova qëndroi në internim deri në vitin 1991, kur në Shqipëri u shemb regjimi komunist, Balluku dhe Këllezi, u pushkatuan, përkatësisht në nëntor të vitit 1975 dhe maj 1977./ Memorie.al