Gerry Cardinale, themeluesi i “RedBird”, ishte i ftuar në “Konferencën e 19-të vjetore të Analitikës Sportive të MIT Sloan”, një event i organizuar nga “ESPN” dhe “42 Analytics”.
Gjatë panelit të titulluar “Ndërtimi i perandorive sportive me një qasje sipërmarrëse”, pronari i Milanit zgjodhi të mos përgjigjej në pyetjet lidhur me klubin e tij dhe nuk bëri asnjë referencë për kuqezinjtë, edhe kur u diskutua për futbollin europian.
Në Europë, ekipet më të mëdha drejtohen nga njerëz më të përkushtuar ndaj aspektit sportiv, ndërsa në Shtetet e Bashkuara janë më të orientuar drejt biznesit. Ekziston një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën se si menaxhohen modelet e biznesit: “Ka një shembull të shkëlqyer që tregon sesi ka ndodhur evolucion edhe në këtë aspekt, ky është Liverpool-i.
Arsyeja pse kam investuar në ‘Fenway Sports Group’, dhe është hera e vetme që nuk jam aksioner shumice, por pakice në një investim të lidhur me sportin, është sepse kam vërtet shumë respekt për këtë pronësi dhe drejtuesit e saj, si dhe për atë që kanë bërë me Liverpool-in.
Njerëzit duhet të vënë re tranzicionin që ata kanë kaluar, për të mos humbur asnjë hap, nga Klopp e deri te Slot, duke bërë që gjithçka të funksionojë siç kanë dashur.
Ata kanë arritur të gjejnë një kompromis midis aspektit sportiv, biznesit dhe pronësisë. Dhe pikërisht kjo është ajo që duhet të merret si shembull, të provohet të implementohet diku tjetër”.