Ballina Politika Rama në listë të hapur në Tiranë? 4 kryebashkiakë të PS kërkojnë...

Rama në listë të hapur në Tiranë? 4 kryebashkiakë të PS kërkojnë të kandidojnë për deputet

130
0

Në 7 orë diskutime që shoqëruan takimin mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrave e drejtuesve politikë të PS, që u mbajt në Pallatin e Brigadave, është diskutuar edhe për listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 majit.

A2 CNN mëson se drejtuesit politik i kanë dorëzuar listat paraprake te kreu i PS por jo në këtë tryezë. Takimet janë zhvilluar “kokë më kokë” mes Ramës dhe çdo drejtuesi politik sa i përket emrave për deputet në çdo qark.

Teksa kemi hyrë në orët e ethshme për ata që duan të jenë pjesë e ekipit socialist, media raporton se vetë kryeministri mund të garojë në Tiranë, ashtu siç edhe ai ka deklaruar pak ditë pasi kryebashkiaku Erion Veliaj përfundoi pas hekurave.

Skenari sipas burimeve është që Edi Rama të jetë në listën e hapur të kryeqytetit, çka do t’i krijonte kreut të PS hapësirë për të kërkuar dhe marrë sa më shumë vota.

Referuar listës së Tiranës, sipas burimeve, duket se do të ketë më shumë gra në listën e sigurtë sesa burra, ndërsa vetë Rama e ka thënë edhe në shtator që deputetët e ashtuquajtur “veteranë”, me më shumë se një mandat nuk do të jenë në listë të sigurt.

Sakaq drejtuesit politik do të jenë në listën e mbyllur, por edhe disa nga ministrat si në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë.

Ndër të tjera mësohet se krytetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, i cili është edhe drejtues politik i qarkut ka shprehur interesin për të qenë në listën e kandidatëve për deputet. Po ashtu një vend në listë e kanë kërkuar edhe kryebashkiakja e Dimalit, Juliana Mema, kreu i bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe kryetari i bashkisë së Matit, Agron Malaj.