Ndeshja mes Barcelonës dhe Osasunës e vlefshme për raundin e 27-të në La Liga dhe e programuar për të nisur në orën 21:00 (8 mars), është shtyrë për shkak të një ngjarje tragjike.
Carles Minarro Garcia (40 vjeç), mjeku i Barcelonës është gjetur i pajetë në dhomat e zhveshjes, për arsye që ende nuk bëhen të ditura. Prestigjozja tjetër Cadena Ser raporton se kanë qenë vetë lojtarët e Barcelonës që kanë kërkuar të shtyhet ndeshja për shkak të këtij lajmi.
Dy skuadrat mbërritën në stadiumin ‘Montjuïc’ në kohën e rënë dakord dhe dhanë formacionet e tyre, por asnjë anëtar i skuadrës së Barçës nuk doli për nxehmje. Gjithçka pasi u mësua vdekja e Carles Minarro. Dy klubet ranë dakord dhe Osasuna e pranoi shpejt shtyrjen, teksa më pas njoftoi arbitrin, i cili nuk kundërshtoi.
Pas lajmit të rëndë ka reaguar edhe vetë klubi i Barcelonës përmes një postimi në rrjetet sociale.
“FC Barcelona me keqardhje njofton lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të mjekut të ekipit të parë, Carles Minarro García, pasditen e sotme. Për këtë arsye, ndeshja mes FC Barcelona dhe CA Osasuna është shtyrë për një datë të re. Bordi i Drejtorëve dhe të gjithë punonjësit e FC Barcelona dëshirojnë të shprehin ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen dhe miqtë dhe të ndajnë ngushëllimet e tyre gjatë kësaj kohe të vështirë”, njofton Barcelona.
Carles Minarro ishte 40 vjeç. Ai iu bashkua ekipit të parë të Barcelonës këtë sezon nga skuadra e futsallit. Ai iu bashkua klubit në vitin 2017 pas gjashtë vitesh si ndihmës doktor në Njësinë e Asistencës dhe Parandalimit Sportiv në ‘Centre d’Alt Rendiment de Sant Cugat’.