Rritja e kostove po i shtyn turistët gjetiu
Kroacia, një vend i njohur për vijën bregdetare dhe qytetet historike, po bëhet tepër e shtrenjtë për turistët.
Çmimet po rriten më shpejt se në Greqi, Spanjë dhe Itali, dhe zyrtarët dhe drejtuesit e bizneseve kanë frikë se turistët mund të zgjedhin oferta më të mira në vende të tjera, raporton agjencia N1.
Kryeministri Andrej Plenkovic ka paralajmëruar se çmimet konkurruese janë thelbësore për mbrojtjen e industrisë së turizmit kroat, sipas Etias.com.
Rriten çmimet e sektorit të turizmit
Në tre vitet e fundit, çmimet e turizmit në Kroaci janë rritur me rreth 50%, ndërsa në vendet e tjera të Mesdheut ka pasur rritje prej vetëm 15-20%.
Kështu, Kroacia është bërë më e shtrenjtë se konkurrentët kryesorë si Greqia dhe Spanja, duke ngritur shqetësime për çmimet.
Një problem në rritje për Kroacinë dhe destinacionet e tjera turistike: “Do të përkeqësohet”
Kostot më të larta në sektorin e hotelerisë kanë rritur edhe çmimet, duke bërë që të mos ndryshojë numri i net-qëndrimeve dhe të bien shpenzimet turistike.
Ndikimi është tashmë i dukshëm. Po vijnë më pak turistë nga tregjet kryesore si Gjermania, Republika Çeke, Austria dhe Italia. Verën e kaluar, të ardhurat e Kroacisë nga turizmi ndërkombëtar gjatë sezonit të pikut ranë me 0.7% krahasuar me një vit më parë.
Kristjan Stanicic, drejtor i Bordit Kombëtar të Turizmit në Kroaci, theksoi se shumë turistë tani kanë si përparësi vlerën që merret për paratë e shpenzuara.
Analiza e tij tregoi se për dy të tretat e tregjeve kryesore turistike të Kroacisë, kostoja është faktori më i rëndësishëm në vendimet e udhëtimit.
Ministri i Financave, Marko Primorac, qortoi industrinë e turizmit për rritjen e tepërt të çmimeve. “Duket se e keni tepruar”, tha.
Ai argumentoi se turizmi kroat nuk justifikon çmime më të larta se Greqia, Spanja apo Portugalia. Primorac vuri në dukje gjithashtu se taksapaguesit kroatë mbështesin turizmin nëpërmjet politikave tatimore, por shumë kroatë as nuk mund të përballojnë dot pushimet në vendin e tyre.
Ministri i Turizmit, Tonci Glavina, tha se viti 2025 do të jetë vendimtar për Kroacinë që ajo të mundësojë çmime më konkurruese. Ai hodhi poshtë idenë e një bojkoti të turizmit, por pranoi se uljet e çmimeve do të jenë të nevojshme për të tërhequr një numër të lartë vizitorësh.
Drejtuesit e industrisë së hotelerisë, thonë se rritja e çmimeve po shkaktohet nga rritja e pagave dhe inflacionit. Veljko Ostojić nga Shoqata Kroate e Turizmit, vuri në dukje se fitimet e hoteleve kanë rënë për shkak se kostot po rriten më shpejt se të ardhurat.
Ai shtoi se vitin e kaluar, çmimet e hoteleve në Kroaci u rritën me vetëm 1.9%, ndërsa në destinacionet e tjera të Mesdheut u rritën me 4.5%.
Shoqata Kroate e Akomodimit të Familjeve ka shprehur gjithashtu shqetësimin për tarifat e larta të platformave ndërkombëtare të rezervimit.
Disa drejtues të industrisë kanë këshilluar krijimin e një sistemi kombëtar për të ulur rezervimet në platformat ndërkombëtare.
Rritja e kostove dhe kufizimet e reja
Ndërsa Kroacia po lufton rritjen e kostove, udhëtarët brenda Bashkimit Europian (BE) gjithashtu duhet të përgatiten për kërkesat e reja të hyrjes, sipas Sistemit Europian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimeve (ETIAS).
Duke filluar nga viti 2026, vizitorët që vijnë nga vende jashtë BE-së me të cilat janë hequr vizat duhet të marrin miratimin e ETIAS për të hyrë në Zonën Shengen, duke përfshirë Kroacinë.
Turistët që bëjnë vizita afatshkurtra, të shkurajuar tashmë nga çmimet e larta, mund të shkojnë në vende me çmime më të lira, sidomos udhëtarët me buxhete të kufizuara që duhet të marrin parasysh kostot dhe kërkesat e reja të hyrjes.
Megjithëse marrja e miratimit nga ETIAS është një proces i thjeshtë, ai mund të shkurajojë ata njerëz që tashmë ngurronin të vizitonin Kroacinë.
Për vizitorët dhe emigrantët afatgjatë, procedura është edhe më e ndërlikuar. Integrimi i plotë i Kroacisë në Zonën Shengen e ka bërë atë një vend mjaft tërheqës për nomadët dixhitalë dhe punëtorët sezonalë.
Megjithatë, rritja e kostos së jetesës, duke përfshirë çmimet më të larta të turizmit, mund të largojë disa.
Rënia e sektorit të turizmit në Kroaci mund të ndikojë në zhvendosjen e fuqisë punëtore dhe mund të nxisë bisedime të reja për lejet e punës në të gjithë BE-në.
Në vendet me lidhje të forta me Kroacinë, si Austria dhe Gjermania (ku punojnë shumë kroatë), mund të ketë më shumë njerëz që kërkojnë punë jashtë vendit nëse sektori i turizmit dobësohet, duke rritur trysninë mbi tregun e punës në BE, veçanërisht në industritë që tashmë përballen me mungesë punëtorësh.
Në të njëjtën kohë, pakësimi i numrit të turistëve mund ta shtyjë qeverinë kroate që të gjejë mënyra të reja për të tërhequr punëtorë të huaj. Politikanët mund të përshtasin rregullat e vizave të punës ose të nxisin emigrimin afatgjatë.
Nëse ulen vendet e punës që lidhen me turizmin, mund të rishqyrtohen edhe kuotat e emigracionit, veçanërisht për punëtorët sezonalë nga jashtë BE-së.
Një shenjë paralajmëruese për BE-në
Gjendja e Kroacisë është një paralajmërim për gjithë BE-në. Ekonomitë e varura nga turizmi janë mjaft të ndjeshme ndaj ndryshimeve të çmimeve dhe ruajtja e kostove të arsyeshme është thelbësore për qëndrueshmërinë e ekonomisë.
Vende të tjera mesdhetare, si Spanja dhe Greqia, mund të rregullojnë strategjitë e tyre të çmimeve për të shmangur humbjen e vizitorëve, duke mbajtur ekonomitë të forta.
Qeveria kroate shpreson që çmimet do të bëhen të qëndrueshme në vitin 2025, por perspektiva mbetet e pasigurt. Ndërsa Gjermania, Austria dhe Italia përballen me ngadalësime ekonomike, turistët mund të bëhen më të vetëdijshëm se kurrë më parë.
Nëse Kroacia nuk arrin të zgjidhë dot problemet e çmimeve, ajo mund të humbasë pozicionin në tregun e turizmit mesdhetar.
Zyrtarët dhe drejtuesit e industrisë duhet të gjejnë një mënyrë për të ruajtur cilësinë duke i mbajtur çmimet të përballueshme dhe konkurruese, si për turistët ndërkombëtarë, ashtu edhe për ata vendas./Monitor.al