Në një intervistë me kryetarin e bashkisë së Shijakut Elton Arbana kemi folur për punët dhe projektet më të reja që po realizohen në qytetin e Shijakut dhe takimet me diasporën.
1. Meqënëse jemi në muajin e Ramazani çfarë mund të na thoni për Xhaminë e re të qytetit?
Pallati i Kulturës u dëmtua rëndë pas tërmetit. Shembja e tij i hapi rrugën dhe ndërtimit të Xhamisë. Ne morëm vendimin që hapësirën ku ishte Pallati i Kulturës t’ia vëmë në dispozicion komunitetit musliman të Shijakut për të pasur një Xhami të re shumë më të madhe nga ajo ekzistuesja.
2. Ndërkohë cilat janë punimet e tjera që po kryhen?
Kemi rehabilituar sheshin në qendër të Shijakut, një kërkesë e vazhdueshme e banorëve sepse plakat dëmtoheshin vazhdimisht. Tashmë e kemi asfaltuar dhe qyteti ka marrë një pamje të re, duke i sjellë gjithashtu lehtësim në lëvizjen e përditshme banorëve. Do të ketë edhe më shumë gjelbërim duke mbjellë pemë të reja.
3. Në takimet e bëra me shqiptarët e diasporës, cili ka qënë mendimi që ato kanë shfaqur për zhvillimin e vendit gjatë viteve të fundit?
Takimet me shqiptarët e diasporës për t’i inkurajuar që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 11 majit janë një hap shumë i rëndësishëm që siguron pjesëmarrjen e tyre në procesin zgjedhor.
Vota e diasporës është një angazhim qytetar dhe e drejtë që ata tashmë e kanë fituar. Kemi diskutuar mbi problematika të ndryshme, kemi dëgjuar mendimet e tyre se çfarë duhet të bëjmë më mirë për Shijakun dhe ajo që kam kuptuar me bindje është se shqiptarët e diasporës besojnë te vizioni politik i Edi Ramës dhe progresin që do të ketë Shqipëria në katër vitet e ardhshme duke i besuar Partisë Socialiste.
4. A e kanë mirëpritur regjistrimin për të votuar qytetarët që kanë emigruar në më shumë se 30 vite?
Janë pikërisht qytetarët që kanë emigruar në më shumë se 30 vite dhe një pjesë e tyre që e la Shqipërinë në vitin e vështirë 1997, kur vijnë tani në 2025 shohin të gjitha ndryshimet pozitive që janë bërë në gjithë Shqipërinë, janë shumë optimist për të ardhmen e saj.
Fitorja e Kryeministrit Rama do të nisë nga shqiptarët e diasporës për të vazhduar në Shqipëri.
Nëse do të numëronin sukseset e vizionit politik të Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij janë padiskutim të shumta gjatë këtyre 10 viteve. Janë hedhur themele të qëndrueshme të zhvillimit dhe progresit të Shqipërisë në shumë drejtime:
-Reforma në sistemin e drejtësisë.
-Transformimi urban dhe infrastruktura e përmirësuar. Gjatë këtyre 10 viteve, qeveria Rama ka investuar në projekte infrastrukturore të mëdha, përfshirë rinovimin e qyteteve, ndërtimin e akseve rrugore dhe zhvillimin e një numri të konsiderueshëm investimesh që kanë nxitur sektorin e turizmit si kurrë më parë. Ky është një fakt të cilin e shohim çdo ditë, për të cilin kanë folur dhe mediat më prestigjioze të huaja. Numri i turistëve në Shqipëri është rritur duke kaluar çdo pritshmëri.
-Një tjetër sukses i rëndësishëm ka qenë përpjekja për të çuar përpara procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ka pasur një përparim të dukshëm në përmbushjen e kushteve të BE-së dhe hapjen e negociatave të pranimit.
5. Cili është mesazhi që do t’i drejtoni shqiptarëve të diasporës?
Diaspora është një aset i çmuar për Shqipërinë. Shqiptarët e diasporës dinë të bëjnë dallimin mes një qeverisje të mirë me vizion drejt progresit dhe një qeverisje të vjetëruar që nuk të çon askund. Me datë 11 maj emigrantët e regjistruar do të marrin pjesë masivisht në zgjedhje, sepse ato nuk duan një Shqipëri si ajo e ’97, apo një 21 janar që erdhi nga një politikë e mbrapshtë. Shqiptarët e dinë se kujt t’i besojnë sepse duan zhvillimin që ka sjellë dhe do vazhdojë të sjellë Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama.