Në “Allianz Stadium” vendasit e Juventusit u mposhtën 0-4 nga Atalanta. “Zonja e Vjetër” u duk në një ditë jo të mirë dhe bergamaskët bënë çfarë deshën, duke shënuar katër herë dhe shkërmoqur bardhezinjtë, për t’i shkaktuar humbjen e dytë sezonale.
Në minutën e 29-të Retegui ktheu në gol penalltinë e fituar nga Gjimshiti, pasi pasimi i kapitenit të Kombëtares u ndal me dorë në zonë nga McKennie. Retegui e dërgon në 22 numrin e golave sezonal në Serie A. Kur u duk se Juvja do reagonte në pjesën e dytë, vetëm pak sekonda nga nisja e saj De Roon gjeti golin e dytë për miqtë, kjo pas gabimit të mbrojtjes.
Prapavija e “Zonjës” ishte katastrofë edhe në golin e tretë të Zappacostas, apo edhe në të katërtin e Lookman. Nëse para kësaj sfide Juventusi e shihte veten si mbrojtja më e mirë e Serie A me vetëm 21 gola të pësuar, Atalanta gjeti ‘çelësin’ dhe i shënoi katër herë duke i turpëruar në Torino.
Me 58 pikë Atalanta mban vendin e tretë, ndërsa Juve me 52 pikë mbetet në vendin e katërt dhe sheh t’i prishet ecuria me pesë fitore radhazi në kampionat.