Ballina Kosovë Pretendon manipulim, ‘Vetëvendosje’ kërkon përsëritjen e votës së diasporës

Pretendon manipulim, ‘Vetëvendosje’ kërkon përsëritjen e votës së diasporës

24
0

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka kërkuar shfuqizimin dhe përsëritjen e votimit përmes postës së diasporës të zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar, pasi u ankua në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për “manipulim të fletëvotimeve”.

Vetëvendosja, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, fitoi më së shumti vota nga votimi me postë, 51.57%, apo me mbi 31.000 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës arriti t’i sigurojë 30.55% të votave, Partia Demokratike e Kosovës me 9.48% dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Nisma me 3.23%. Mbi 84.000 shtetas të Kosovës në diasporë kishin zgjedhur të votonin përmes postës për zgjedhjet e 9 Shkurtit, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas rezultateve përfundimtare, që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike, me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme. Për të pasur shumicën, nevojiten së paku 61 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës. Si partia e parë, Vetëvendosje i ka fituar 396.022 vota, apo 42.27% duke i siguruar 48 ulëse.

Udhëheqësi i saj, kryeministri Albin Kurti, është zotuar se do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur.

Partitë aktualisht në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të. KQZ-ja pritet të bëjë certifikimin e rezultateve në mes të këtij muaji. Analistët thonë se ka disa opsione të mundshme për formimin e qeverisë së re.