Në ‘Elbasan Arena’ Dinamo fitoi për herë të parë këtë sezon kundër Bylisit, duke e mposhtur 3-1. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 9-të nga Itodo, i cili kaloi në avantazh vendasit. Më pas ishte radha e Bregut për të treguar aftësitë, në minutat 28-të dhe 64, ndërsa pak minuta më herët kryesori i kishte anulluar një tjetër gol. Golin e vetëm për ekipin mik e shënoi Ruçi në të 34 minutë. Me këtë humbje skuadra e Bylisit qëndron në vendin e shtatë me 31 pikë, ndërsa Dinamo merr vendin e dytë me 50 pikë.
Në Korçë, Partizani përmbysi 1-2 vendasit e Skënderbeut duke ‘shkelmuar’ në një farë forme krizën që e kishte kapluar me katër humbje radhazi. Korçarët kaluan të parët në avantazh që në minutën e 35-të. Ardit Nikaj shndërroi në në gol një penallti të shkaktuar nga kapiteni i Partizanit, Preka. Partizani u rikthye në lojë në pjesën e dytë, duke barazuar si fillim në minutën e 66-të me Gjergji Koten, teksa golin e fitores e shënoi nigeriani Eleke në minutën 90+1. Të pranishmit në stadium u shtangën dhe u bënë “me zemër”, kur mbrojtësi i Skënderbeut, Albi Doka humbi ndjenjat në fushë pas një ndërhyrje nga Sembene. Për kryesorin Bastari nuk ishte as faull, ndërsa Doka mori ndihmën mjekësore dhe pas disa minutash vijoi lojën.