Ish-presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili u dënua sot me nëntë vjet burg shtesë, pasi u shpall fajtor për përvetësim, njoftoi agjencia e lajmeve Interpress.
Saakashvili , i cili shërbeu si president i vendit nga viti 2004 deri në 2013, ishte dënuar më herët me gjashtë vite burg për shpërdorim detyre pasi u kthye në Gjeorgji në 2021, ndërsa një pjesë të madhe të dënimit e ka kryer në spitalin e burgut.
Televizioni gjeorgjian transmetoi pamje nga salla e gjyqit, ku mbizotëronte tensioni gjatë leximit të vendimit, me mbështetësit e Saakashvilit që e cilësojnë gjyqtarin një “skllav” të qeverisë aktuale.
Një figurë thellësisht polarizuese në Gjeorgji sot, Saakashvili erdhi në pushtet në Revolucionin e Trëndafilave të vitit 2003. Ai udhëhoqi protestat e përditshme në qendër të Tbilisit dhe së shpejti detyroi presidentin e atëhershëm Shevardnadze të jepte dorëheqjen.
Mbështetësit e tij nuk hezituan të pushtonin parlamentin gjeorgjian – dhe në vitin 2004, në zgjedhjet ku ai garoi praktikisht pa kundërshtar, fitoi me 96% të votave dhe u bë presidenti më i ri në Evropë. Teksa ishte në pushtet, ai e riorientoi Gjeorgjinë drejt Perëndimit dhe nisi një program ambicioz reformash në sektorin publik, i cili pati rezultate të shpejta në këtë vend të Kaukazit Jugor me 3.7 milionë banorë.
Megjithatë, vitet e fundit të mandatit të tij u shënuan nga autoritarizmi, brutaliteti policor dhe një luftë shkatërruese me Rusinë në vitin 2008.
Në vitin 2012, partia e Saakashvilit, Lëvizja e Bashkuar Kombëtare, humbi një betejë zgjedhore ndaj një aleance të udhëhequr nga biznesmeni miliarder Bidzina Ivanishvili, i cili mbetet lider i Gjeorgjisë deri në ditët e sotme.
Pas largimit nga pushteti, Saakashvili u vendos në Ukrainë, ku shërbeu për një kohë të shkurtër si guvernator i rajonit jugor të Ukrainës, Odessa.
Në vitin 2021, ai u kthye në Gjeorgji, pavarësisht se u dënua në mungesë për shpërdorim detyre. Ai u arrestua dhe u burgos me të mbërritur në vend.