Kryesia e Partisë Demokratike është mbledhur për të miratuar listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 11 majit. Nga selia blu, në një fjalim të hapur për mediat Berisha shigjetoi PS, duke thënë se po përcaktojnë kandidatura në bashkëpunim me klanet e krimit. Ndërkohë, për Damian Gjiknurin tha se kërcënoi Ramën që ta fusë në lista duke i çuar nëj zarf me foto të McGonigal.
“Mblidhemi sot në vendimmarrjen më të rëndësishme të këtij 4-vjeçari, në miratimin nga kjo kryesi të kandidaturave që PD e Shqipërisë do paraqesë para elektoratit shqiptar së bashku me koalicionin për Shqipërinë Madhështore. Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, meritë e madhe e anëtarësisë së PD, drejtuesve të saj në degët e PD-së dhe në qendër, deputetëve të saj dhe ajo çka mund t’u them unë se ky proces qëndron në lartësinë e plotë të objektivit kryesor të PD-së, Shqipëria Madhështore.
Ky është procesi më transparent që është zhvilluar ndonjëherë në historinë e PD, me pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme, me përfaqësimin e të gjitha ndjesive, të gjitha shtresave, nënshtresave, grupeve, komuniteteve të shoqërisë shqiptare. Por këta kandidatë për deputetë kanë avantazhin sepse janë njëkohësisht përfaqësuesit e koalicionit më të fuqishëm që ka njohur Shqipëria në 32 vite.
Ky koalicion që bashkon rreth 25 parti, të cilat pa PD-në, përfaqësojnë pothuaj një të tretën e elektoratit shqiptar. Ky koalicion, pa PD përfaqësojnë 1/3 e elektoratit shqiptar. Kjo përbën një avantazh të fuqishëm për aleancën për Shqipërinë Madhështore dhe PD, një avantazh që ka goditur thellë në dëshpërim palën kundërshtare që në fakt është në kaos të vërtetë. Ekipi Rama ‘Lubi-Balluku’ po përcakton kandidatura tërësish në bashkëpunim me klanet e krimit në Shqipëri. Janë flakur edhe socialistët e fundit që kishin mbetur në parti dhe janë zëvendësuar me eksponentë politikë të botës së krimit, apo kushëri e kushërira, etj etj. Kërcënimi është metoda bazë e përcaktimit në lista të deputetëve. Kështu, në rast se Rama do dëshironte që të lante duart me Gjiknurin, Gjiknuri i çoi një zarf jo me para, por me fotot e McGonigal dhe Gjiknuri i rikthye në lista. Dhashë këtë shembull se si po caktohet lista në krahun tjetër.
Ne paraqitemi me listën me dinjitoze, me luftëtarë të vendosur, të kauzave të drejta të kësaj partie të cilët në 4 vite kanë bërë betejat më të fuqishme që ka njohur populli shqiptar. Paraqitet me specialistë të shquar me përfaqësues të inteligjencës shqiptare, të diasporës, të komuniteteve të ndryshme dhe ndonjëherë nuk ka patur ndonjë përfaqësi kaq të plotë para zgjedhësve shqiptarë. Kryesia do bëjë përzgjedhjen përfundimtare dhe jam i bindur se impakti i tyre te shqiptarët do jetë i një faktori që çon peshë zemrat e tyre”, tha Berisha.