Deputetja e Partisë Demokratike, Ilda Dhori, ka reaguar e zhgënjyer pas publikimit të listave të kandidatëve të PD-së për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në një postim në rrjetet sociale, ajo ka deklaruar tërheqjen nga kandidimi në listën e hapur, duke kritikuar ashpër përfaqësimin e PD-së dhe mënyrën se si janë përzgjedhur kandidatët.
Dhori vuri në dukje mungesën e përfaqësimit për zonën e Divjakës në listën e mbyllur, ndërsa theksoi se dy kandidatë nga e njëjta lagje janë përfshirë në listë. Ajo gjithashtu shprehu pakënaqësinë për mungesën e grave në listat e PD-së dhe për mos përfaqësimin e komunitetit ortodoks në Qarkun e Fierit.
“Zhgënjim për mos përfaqësimin e Divjakës si pjesë e listës së mbyllur, ndërkohë që vendosen në të njëjtin pozicion dy kandidatë nga një lagje. Zhgënjim për mos përfaqësimin e grave nga PD, ndërkohë që ‘vende’ paska pasur me bollëk. Zhgënjim nga mos përfaqësimi i komunitetit ortodoks në Qarkun e Fierit, karakteristikë e listave jo fituese të PD-së në këtë qark,”shkroi Dhori në Facebook.
Ajo e akuzoi PD-në se përfaqësimi në Parlament nuk bëhet në bazë të meritës dhe votës së qytetarëve, por përmes “pazareve nën rrogoz”,duke e cilësuar këtë si arsyen kryesore të tërheqjes së saj nga gara.
“Për hir të detyrimit që kam ndaj atyre mijëra njerëzve që më kanë besuar dhe që duan të më besojnë për t’i përfaqësuar në Parlament, dhe në kushtet kur kjo e fundit diktohet jo nga vota meritokratike e çdo kandidati, por nga pazaret nën rrogoz, kam vendosur me ndërgjegje të plotë të tërhiqem nga gara për deputet në listën e hapur të PD,” përfundoi Dhori.