Ballina Kosovë Aksidentohet një autobus me nxënës në Kosovë, humb jetën shoferi, disa të...

Aksidentohet një autobus me nxënës në Kosovë, humb jetën shoferi, disa të plagosur

37
0

Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Vushtrri, pasi një automjet që tranportonte nxënës ka dalë nga rruga.

Sipas njoftimit të policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:00 në fshatin Galicë të Vushtrrisë, ku për pasojë ka ndërruar jetë shoferi 59-vjeç dhe 7 nxënës kanë mbetur të lënduar.

Nga hetimet paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit të ketë qenë pakujdesia ose mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës.

“Nga hetimet e para të zhvilluara në vendngjarje, bëhet e ditur se si shkaktar i aksidentit dyshohet të ketë qenë pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës ku për pasojë vetura përfundon jashtë rruge”, u tha në njoftimin e Policisë.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i ka shprehur ngushëllime familjes së shoferit që humbi jetën në aksident. Ndërsa për nxënësit e lënduar ka thënë se po marrin trajtim në Emergjencë.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për një ngjarje tragjike që ka ndodhur në komunën tonë gjatë paradites së sotme. Në një aksident që ka ndodhur gjatë transportit të nxënësve nga fshati Duboc, komuna jonë ka humbur një burrë të ndershëm e një qytetar të përgjegjshëm, shoferin e kësaj linje, Hajzer Sadiku, ndërsa janë lënduar edhe disa nxënës, të cilët tashmë janë duke marrë trajtim në Emergjencën e Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri. Në emër të Komunës tonë, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Sadiku, ndërsa nxënësve të lënduar ju uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar ai në Facebook.