Konstantinos Tasoulas u betua si presidenti i ri i Greqisë këtë të enjte, në një ceremoni të zhvilluar në ndërtesën e parlamentit në Athinë. I emëruar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, Tasoulas do të shërbejë për një mandat pesë-vjeçar në një rol kryesisht ceremonial, duke pasuar Katerina Sakellaropoulou, gruan e parë që mbajti këtë detyrë.
Tasoulas, një jurist dhe ligjvënës me përvojë, ka shërbyer si ministër i Kulturës dhe zëvendësministër i mbrojtjes në qeveritë konservatore të Demokracisë së Re. Ai ishte gjithashtu kryetar i Kuvendit për tre mandate.
Më 12 shkurt, Tasoulas u zgjodh president me 160 vota në raundin e katërt të votimit nga parlamenti grek me 300 vende. Pas zgjedhjes, ai u zotua të përmirësojë pozitën ndërkombëtare të Greqisë dhe të punojë për përparim dhe besim.
I lindur më 17 korrik 1959 në Janinë, Tasoulas u diplomua në drejtësi në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës në vitin 1981 dhe ka punuar si avokat në Athinë dhe Londër. Ai ka qenë deputet i Janinës nga viti 2000 deri në vitin 2025 dhe ka shërbyer si ministër i Kulturës dhe Sportit në qeverinë e Antonis Samaras nga viti 2014 deri në vitin 2015.