Emisari amerikan për Misione të Veçanta, Richard Grenell, ka reaguar sërish lidhur me Jack Smith dhe aktakuzën që prokurori amerikan ngriti në vitin 2020 ndaj Hashim Thaçit, atëkohë president i Kosovës.
Grenell ka përmendur Bruce Schwartzin, një zyrtar të lartë në Departamentin e Drejtësisë me akses në informacione sensitive, duke pretenduar se Schwartz i kishte ndarë privatisht me të detaje për negociatat Kosovë-Serbi që po zhvilloheshin në atë kohë për Marrëveshjen e Washingtonit.
Sipas Grenellit, Schwartz ka “minuar Donald Trumpin dhe politikën e jashtme” duke ndarë këto informacione me prokurorin Jack Smith, çka sipas tij çoi në aktakuzën ndaj Thaçit.
“Ai duhet të hetohet dhe gjykohet”, ka deklaruar Grenell.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte si dhe së fundi iu është ngritur një aktakuzë kundër administrimit të drejtësisë.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.