Gjatë zbatimit të Programit IPARD II, në shkurt 2021, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) kreu një hetim pranë Agjencisë IPARD dhe në korrik 2023, Komisioni Evropian (DG AGRI) njoftoi Autoritetet Shqiptare se për shkak të informacionit paraprak të marrë nga OLAF-i, Komisioni do të ndërpresë përkohësisht masat e marra ndaj Shqipërisë deri në korrigjimin e pagesave.
Në tetor 2023, DG AGRI dërgoi një abstrakt të raportit të OLAF-it që përmban elementet përkatëse për ndjekjen administrative të çështjeve të identifikuara nga OLAF-i. Në vijim, autoritetet shqiptare angazhuan një auditim të jashtëm (forensic) si pjesë e Planit të Veprimit të përgatitur në lidhje me çështjet e identifikuara në raportin e OLAF-it, për të përcaktuar ekspozimin ndaj rrezikut të të gjitha pagesave të bëra nga IPARD II, si dhe për t’i dhënë siguri KE-së se përmirësimi në sistemin e menaxhimit dhe kontrollit parandalon shfaqjen e këtyre parregullsive në të ardhmen. Ky auditim pritet të përfundojë në gjysmën e dytë të vitit 2025.
Numri i përgjithshëm i parregullsive të raportuara për periudhën 2020-2024 është 199 nga të cilat 146 të raportuara gjatë zbatimit të Programit IPARD dhe 53 të raportuara në Programin IPA. Kjo i referohet numrit total (progresiv) të parregullsive që strukturat IPA dhe IPARD i raportojnë ZMZKA-së, në regjistrin e parregullsive të dhjetorit 2024.
Si përfituese e fondeve të BE-së, Shqipëria ka përgjegjësinë që të mbrojë interesin financiar të BE-së.
Në veçanti, sipas detyrimit që rrjedh nga Marrëveshjes Kuadër IPA II përcaktohet se përfituesi i IPA II duhet të sigurojë hetimin dhe trajtimin në mënyrë të efektshme të rasteve të dyshuara të mashtrimit, konfliktit të interesit dhe parregullsive.
Sa herë që në Zyra Mbështetëse e Zyrtarit Kombëtar Autorizues merr një sinjal për parregullsi të rëndë ose mashtrim të dyshuar, rasti do të regjistrohet në Sistemin Kundër Mashtrimit të Parregullsive (AFIS) dhe i raportohet menjëherë për hetime të mëtejshme DIFP/AFCOS-it nëpërmjet ZKA-së.
Të gjitha sinjalet regjistrohen në Regjistrin e Sinjaleve të Parregullsive, por vetëm rastet e konfirmuara të parregullsive regjistrohen në Regjistrin e Parregullsive IPARD. Të gjitha rastet e parregullsive numërohen në mënyrë sekuenciale.
Rastet e parregullsive marrin dy numra identifikues: Numrin Kombëtar të Identifikimit dhe një numër identifikimi që ZKA-ja i dërgon Komisionit Evropian.
Zyra Mbështetëse e ZKA-së është përgjegjëse për zbatimin e masave efektive dhe proporcionale kundër mashtrimit, duke marrë parasysh rreziqet e identifikuara dhe duke siguruar raportimin pa vonesë në Komision të rasteve të dyshuara të mashtrimit dhe parregullsive të tjera që kanë qenë objekt i një konstatimi parësor administrativ ose gjyqësor, duke mbajtur AFCOS-in të informuar për një raportim të tillë.
Po sipas Marrëveshjes Kuadër IPA ZKA-ja ka përgjegjësinë që të sigurojë se ekziston një procedurë e përshtatshme rikuperim të fondeve të BE-së, nga ata që janë ndodhur në ndonjë situatë të specifikuar (gabim, parregullsi – individuale ose sistematike, mashtrim i dyshuar, mashtrim, korrupsion – pasiv ose aktiv dhe konflikt interesi) ose të përfituara prej saj, në përputhje me procedurat kombëtare të rikuperimit të fondeve publike. Fakti që autoritetet kombëtare nuk arrijnë të rikuperojnë të gjitha ose një pjesë të fondeve nuk do ta pengojë Komisionin të rikuperojë fondet nga Shqipëria./ ekofin.al