Ballina Politika Ja padia e Kastriot Myftarajt për arsimimin e Ballukut dhe dyshimet për...

Ja padia e Kastriot Myftarajt për arsimimin e Ballukut dhe dyshimet për “eliminimin” e tij me vetëvrasje nga ballkoni

141
0

I ndjeri Kastriot Myftaraj, një nga figurat më të njohura të gazetarisë investigative në Shqipëri, ka lënë pas një trashëgimi të pasur debatesh dhe hetimesh mbi çështje të ndjeshme të politikës dhe shoqërisë shqiptare. Një nga rastet më të bujshme të denoncimeve të tij lidhej me padinë e ngritur ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, një padi që ngriti dyshime mbi arsimimin e saj dhe përputhshmërinë e deklarimeve të saj zyrtare.

Padia e Kastriot Myftarajt ndaj Belinda Ballukut

Në vitin 2021, Myftaraj u paraqit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj Belinda Ballukut. Sipas tij, ekzistonin kontradikta të dukshme midis deklarimeve të ministres në formularin e vetëdeklarimit dhe të dhënave të publikuara në CV-në e saj zyrtare. Në formularin e vetëdeklarimit, Balluku kishte pohuar se kishte qëndruar jashtë vendit për një periudhë njëmujore në Britaninë e Madhe për pushime në korrik-gusht të vitit 2011. Ndërkohë, në biografinë e saj të publikuar në faqen zyrtare të ministrisë, ajo deklaron se ka kryer studimet e larta në Institutin Teknologjik të Athinës, të cilat zgjatin të paktën tre vjet. Përveç kësaj, ajo kishte përmendur edhe studime të tjera në universitetin e Harvardit dhe atë të Majemit në SHBA.

Dyshimet për falsifikim dhe papërgjegjshmëri institucionale

Sipas Kastriot Myftarajt, dyshimi kryesor ishte se ose ministrja kishte falsifikuar dokumentacionin, ose nuk kishte raportuar saktësisht periudhat e qëndrimit të saj jashtë Shqipërisë, gjë që përbënte një shkelje ligjore. Duke iu referuar nenit 190 të Kodit Penal, ai argumentonte se Balluku mund të përballej me përgjegjësi penale nëse kishte bërë falsifikim të dokumenteve zyrtare. Në rastin më të lehtë, sipas Myftarajt, rrezikonte të dilte në pah se Shqipëria kishte një ministre me vetëm arsim të mesëm, çka do të ngrinte pikëpyetje të mëdha mbi kredencialet e saj profesionale dhe ndershmërinë e qeverisë në emërimet e larta.

Paralelizmi me rastin e kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës

Një tjetër pikë që Myftaraj theksonte ishte standardi i dyfishtë i SPAK-ut në trajtimin e rasteve të ngjashme. Ai përmendi në atë kohë rastin e kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i cili ishte marrë i pandehur për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit. Myftaraj pyeste me ironi nëse ligji duhej të zbatohej vetëm për “peshqit e vegjël”, ndërsa “peshqit e mëdhenj” si Balluku mbroheshin nga sistemi. Sipas tij, SPAK kishte për detyrë të vepronte me të njëjtin standard dhe të hetonte Ballukun mbi dyshimet e ngritura, përndryshe besimi te drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit do të binte ndjeshëm. ““Të njëjtën gjë ka bërë dhe zonja Balluku. Por ndërsa të gjithë këta janë përpjekur të fshehin në vetëdeklarim ato që kanë bërë, zonja Balluku ato që i ka fshehur në vetëdeklarim i ka zbuluar në CV zyrtare. Praktikisht ajo tallet me SPAK me ligjet e me dikë tjetër atje. Ka dyshime të arsyeshme se pas kësaj ka vepruar një grup i strukturuar kriminal. Këtu më së paku Balluku në bashkëpunim me disa punonjës të KQZ-së. SPAK së paku duhet të marrë në pyetje Ballukun për këto”, u shpreh ai në një intervistë televizive.

Ja denoncimi i Kastriot Myftarajt në rrjetet sociale

Përveç daljeve të tij televizive, Myftaraj e denoncoi rastin e Ballukut me shkollimin e saj edhe në rrjetet sociale. “Ja si dhe pse ministrja Belinda Balluku ka fshehur të shkuarën e saj jashtë Shqipërisë në formularin e vetëdeklarimit”, e niste shkrimin gazetari. “Në botë ka shumë politikanë që shkelin ligjet në vendet e tyre, por të gjithë këta përpiqen që t’ i fshehin provat që e vërtetojnë këtë gjë. Belinda Balluku është me siguri rasti i vetëm kur një politikan e shkel ligjin dhe i jep vetë publikisht provat që e vërtetojnë këtë gjë. Ligji i dekriminalizimit i detyron kandidatët për deputetë në Shqipëri që plotësojnë me vetëdeklarim një formular ku ndër të tjera duhet t’ i përgjigjen pyetjes nëse kanë jetuar për më shumë se një muaj jashtë Republikës së Shqipërisë dhe nëse po duhet të tregojnë shtetin, periudhën, arsyen dhe adresën.

Belinda Balluku në formularin e saj për zgjedhjet e vitit 2021 deklaron se ka qenë vetëm një herë për më shumë se një muaj jashtë Shqipërisë, në Mbretërinë e Bashkuar (Britaninë e Madhe) në periudhën korrik-gusht 2011 për pushime. Por në CV-n (jetëshkrimin) e saj zyrtar si ministre ajo thotë se ka kryer studimet universitare për administrim-biznes në Greqi si dhe ka kryer studime në SHBA, në Harvard dhe Miami. Nëse janë të vërteta këto atëherë Balluku ka jetuar në Greqi dhe në SHBA për më shumë se një muaj. Tani, ose Balluku ka gënjyer për shkollimin e saj, ose ka gënjyer në formularin e vetëdeklarimit për kohëqëndrimet e saj jashtë Shqipërisë. Deklarimi i rremë në formular dënohet sipas Nenit 190 të Kodit Penal me burgim nga gjashtë muaj në katër vjet dhe kur vepra penale kryhet nga personi që e ka për detyrë mbushjen e formularit, dënimi është nga katër në shtatë vjet.

Është detyrë e Prokurorisë që ta thërres Ballukun dhe ta pyesë mbi bazën e të dhënave të CV-së zyrtare të saj se ku ka gënjyer, te CV apo te formulari i vetëdeklarimit. Nëse Balluku thotë se ka gënjyer te CV-ja dhe nuk është shkolluar jashtë Shqipërisë, ajo nuk ka kryer krim sipas nenit 190 të Kodit Penal, por thjesht kemi një ministre të pashkolluar. Por nëse Balluku i ka kryer vërtet jashtë Shqipërisë studimet që thotë në CV-n e saj, pse nuk ka rrëfyer në formularin e deklarimit se ka jetuar jashtë vendit në kohën e kryerjes së studimeve? Arsyeja është se Belinda, ose Bela siç i pëlqen ta quajnë, ka qenë jashtë territorit të shtetit shqiptar për një kohë të gjatë por nuk ka qenë saktësisht në territorin e ndonjë shteti tjetër. Dhe ajo nuk ka qenë as në hapësirën kozmike, si pararendëse e projekteve kozmike te Ramës.

Bela ka qenë nëpër cruisership, anijet luksoze të udhëtimeve që mbajnë vajza dhe djem me detyra të të rreme por që në fakt shërbejnë si eskortë, shoqëruese të udhëtarëve të cilëve iu plotësojnë me pagesë nevojat për argëtim. Sigurisht që anijet në të cilat ka qenë Bela kanë hyrë nëpër porte, në shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe shtetet ku Bela thotë në CV se ka studiuar, por nuk kanë qendruar për më shumë se një muaj. Pra, Bela tregohet e sinqertë te formulari i vetëdeklarimit, por gënjen te CV-ja. Gjithsesi, edhe nëse është e kundërta, kjo gjë duhet të dalë nga hetimi. Bela është Ministre e Infrastrukturës që do të thotë se ka në dorë paratë për punët publike që bëhen në Shqipëri, si rrugë, ura, tunele, porte, aeroporte etj”, shprehej Myftaraj në vitin 2021.

Dyshimet mbi vdekjen e Kastriot Myftarajt

Vetëm një vit pas padisë së tij në SPAK dhe denoncimeve në rrjetet sociale, në korrik të vitit 2022, Kastriot Myftaraj ndërroi jetë në rrethana që shumëkush i konsideron të dyshimta. Ai u raportua se kreu vetëvrasje duke u hedhur nga ballkoni i banesës së tij, por familjarët dhe shumë prej ndjekësve të tij besojnë se ky akt nuk ishte një veprim i vullnetshëm. Duke marrë parasysh natyrën e hetimeve të tij dhe armiqtë e shumtë që kishte krijuar përmes gazetarisë investigative, ende ka zëra se mund të ketë pasur ndërhyrje të jashtme në vdekjen e tij. Të gjithë miqtë e tij kanë konfirmuar se Myftaraj nuk ka patur asnjë shenjë depresioni, madje ishte më aktiv se kurrë, përfshirë edhe në rrjetet sociale. Sëmundja e tij nuk ishte e rëndë dhe sipas mjekëve ishte plotësisht e shërueshme.

Ndërkaq, nëna e Myftarajt ka shprehur për gazetën “SOT”, bindjen se djalin ia kanë vrarë. Gjithashtu, Myftaraj po priste dikë pak minuta pasi u hodh apo e hodhën nga ballkoni. Ai ishte bërë gati dhe kishte folur me dikë në telefon. Nuk është hetuar se kush ishte personi i fundit me të cilin Myftaraj ka folur në telefon. Dyshimet shtohen kur miku i tij Kastriot Frashëri pasi kishte biseduar me nënën e tij dhe kishte parë skenën e ngjarjes, tha se kishte gjetur të këputur telin e rrobave dhe se me përmasat e tij trupore diçka e tillë do të ishte e pamundur, vetëm nëse Myftaraj do të kishte aftësi balerini për ta kryer një hedhje të tillë. Nëna dhe miqtë e tij thanë se pavarësisht se ishte diagnostikuar me një masë tumorale në kokë ai do të shkonte në Zvicër për të kryer ekzaminimet dhe si karakter luftarak që ishte nuk trembej para asgjëje.