Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.6, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Drug Base”, duke zbuluar një banesë që shërbente për përgatitjen dhe ndarjen në doza të lëndëve narkotike me qëllim shitjen.
Si rezultat i operacionit, është arrestuar në flagrancë shtetasi S. R., 30 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit në banesën e tij, janë sekuestruar 1 kg dhe 276 gram lëndë narkotike të dyshuar kanabis, lëndë narkotike kokainë, si dhe 1 peshore elektronike.
Këto prove materiale janë sekuestruar për hetime të mëtejshme. Policia vijon punën për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.