Studiuesit kanë zbuluar se pemët e paraqitura në veprat artistike të stileve të ndryshme ndjekin të njëjtat rregulla matematikore si pemët reale. Këto modele, të njohura si fraktale (forma të përsëritura gjeometrike), shfaqen në natyrë dhe mund të jenë kyçe për aftësinë e njerëzve për t’i njohur ato si pemë në art, shkruan CNN.
Studiuesit analizuan vepra nga kultura dhe periudha të ndryshme, përfshirë punime nga Matsumura Goshun, Piet Mondrian dhe Gustav Klimt. Ata zbuluan se trashësia e degëve dhe shkallëzimi i tyre në art përputheshin me pemët reale, duke ndikuar në perceptimin vizual.
Hulumtimi sugjeron se artistët, edhe pa njohuri mbi fraktalet, intuitivisht pasqyronin përmasat natyrore të pemëve. Ky studim lidh artin me shkencën dhe nënvizon bukurinë estetike të modeleve natyrore.
Studiuesit përdorën një formulë matematikore për të analizuar ndryshimin e trashësisë së degëve dhe numrin e degëve më të vogla për çdo degë më të madhe, duke llogaritur një vlerë të quajtur eksponenti i shkallëzimit të diametrit të degëve. Ata zbuluan se shumica e pemëve në art kishin një vlerë që përputhej me intervalin 1.5 deri në 3, i cili gjendet edhe në pemët e vërteta. Përjashtimet, si një pemë në pikturën “Cherry Blossoms”, kishin vlera jashtë këtij diapazoni dhe nuk perceptoheshin lehtësisht si pemë.
Përveç ndikimit në art, ky studim thekson edhe rëndësinë e fraktaleve në natyrë dhe ndikimin e tyre te njerëzit. Modelet fraktale, të pranishme në pemë, lumenj dhe edhe në trupin e njeriut, janë jo vetëm estetikisht të këndshme, por edhe funksionale. Studime të tjera kanë treguar se ekspozimi ndaj fraktaleve mund të zvogëlojë stresin dhe të përmirësojë mirëqenien, duke konfirmuar rëndësinë e këtyre strukturave si në art, ashtu edhe në shkencë.