Industria televizive e Mbretërisë së Bashkuar po përballet me një “stuhi perfekte” që rrezikon zhdukjen e historive britanike nga ekrani, ka thënë Elisabeth Murdoch.
Murdoch, bashkëthemeluese e kompanisë së prodhimit Sister, theksoi se një krizë brenda industrisë po çon në një eksod të talenteve dhe në vështirësinë e tregimit të historive britanike.
Ajo shtoi se televizioni britanik është transformuar nga një treg lokal në një treg global, duke sjellë investime, por edhe kërcënime për kreativitetin dhe kulturën britanike.
Ajo u shpreh se shumica e produkteve që krijohen për platformat globale nuk janë të njëjtat histori që BBC apo Channel 4 kërkojnë.
Industria është goditur nga rënia e të ardhurave nga reklamat dhe rritja e kostove të prodhimit.
Në të njëjtën kohë, shumë prodhues të TV-së me dekada eksperiencë janë larguar nga sektori ose po bëjnë punë të tjera derisa të ketë një rikthim të industrisë, raporton The Guardian.
Murdoch sugjeroi që të shqyrtohen mundësitë për mbështetje, si për shembull, taksat për shërbimet e transmetimit global për të financuar përmbajtje lokale.
Ajo tha se humbja e besimit në biznes është një nga shkaqet e krizës, duke theksuar nevojën për mbështetje për të ruajtur kreativitetin dhe historitë britanike në televizion.