Ballina Kronika Kishte refuzuar kthimin në Shqipëri pas arrestimit 1 vit më parë, ekstradohet...

Kishte refuzuar kthimin në Shqipëri pas arrestimit 1 vit më parë, ekstradohet nga Spanja Lulzim Berisha

122
0

Në gusht 2024 Gjykata Kombëtare e Spanjës vendosi të ekstradojë drejt Shqipërisë të shumëkërkuarin, nga autoritetet shqiptare, Lulzim Berishën. Ish-kreu i bandës së Durrësit i cili u arrestua po në vitin 2024 në Spanjë, dhe kishte refuzuar kthimin në Shqipëri me justifikimin se i rrezikohet jeta. Sipas Prokurorisë spanjolle atij i rrezikohet jeta vetëm jashtë burgut, dhe duke e dorëzuar te autoritetet shqiptare, ai nuk do të rrezikohet.

Lulzim Berisha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Berisha u lirua me kusht nga burgu në 5 dhjetor të vitit 2016, 5 vite para afatit nga trupa gjyqësore e Gjykatës së Apelit Durrës. 4 vite më pas, Berisha është shpallur në kërkim nga SPAK, pasi akuzohet për ngjarje të tjera kriminale, vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut.

Dosja për vrasjen e bujshme të ndodhur në 26 Shkurt të vitit 2005 u hap pas rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi, i cili pretendon se gjithçka u bë nga Plarent Dervishaj dhe Indrit Taullai me urdhër të Lulzim Berishës. Lulzim Berisha “ra” edhe në sitën e OFL, e cila njoftoi se ai është subjekt i paketës Anti-KCK dhe se i është dërguar formulari i deklarimit të pasurisë dhe burimin e origjinës.

Në tetor 2024 Gjykata e Posaçme ka pushuar çështjen ndaj Lulzim Berishës dhe Plaurent Dervishajt, të cilët akuzohen për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame. Vendimi për pushimin e çështjes u dha me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme. Kjo është hera e dytë që SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes, me argumentin se nuk ka prova që implikojnë këta dy persona në vrasjen e Lames. Herën e parë, trupa e gjykimit ia ktheu kërkesën prokurores Elida Kaçkini, duke kërkuar nga kjo e fundit hetime shtesë.