Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, premtimet elektorale të liderëve politikë shqiptarë janë intensifikuar. Kryeministri Edi Rama vazhdon të përdorë si kartë elektorale objektivin për integrimin e Shqipërisë në BE deri në vitin 2030, ndërsa kreu i PD-së, Sali Berisha, ka premtuar lehtësimin e vizave me SHBA, pavarësisht statusit të tij si ‘non grata’.
Juristi Kreshnik Spahiu, në një emision televiziv, ka kritikuar këto premtime duke i cilësuar si propagandë elektorale. Ai argumentoi se integrimi në BE varet më shumë nga politika e brendshme e vendeve anëtare sesa nga angazhimet e qeverisë shqiptare.
Spahiu theksoi gjithashtu se si Rama ashtu edhe Berisha e dinë tashmë rezultatin e përafërt të zgjedhjeve, pasi kanë akses në informacion dhe kontroll mbi strukturat partiake. Sipas tij, të dy liderët po përqendrohen më shumë në 12 majin, ditën pas zgjedhjeve, sesa në vetë fushatën.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Spahiu është fleta e madhe e votimit, e cila mund të shkaktojë një numër të lartë fletësh të pavlefshme, veçanërisht në zonat rurale. Ai bëri thirrje që KQZ të ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësimi për votuesit, për të shmangur konfuzionin gjatë procesit të votimit.