Ballina Aktualitet Argumentet e KPA për lënien në fuqi të shkarkimit të prokurorit Ardian...

Argumentet e KPA për lënien në fuqi të shkarkimit të prokurorit Ardian Braho

23
0

Kolegji e gjeti të drejtë konkluzionin e shumicës së trupës për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Ardian Braho për pasurinë, megjithëse rrëzoi dyshimet për fshehje të një vlere monetare dhe një pjesë të konsiderueshme të bilancit negativ.

Nga Edmond Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA përmbysi metodologjinë e ndjekur nga Komisioni për kryerjen e analizave financiare për pasuritë e prokurorit të Tiranës, Ardian Braho duke rrëzuar një pjesë të konsiderueshme të bilancit negativ, si dhe dyshimet e ngritura për fshehje të një vlere monetare. Megjithatë, pamundësitë e vogla të konstatuara, së bashku me konkluzionin se vlera 32 mijë USD e depozituar cash nga babai në llogarinë e tij, e pretenduar se i përkiste tezes së subjektit, ishte pasuri e familjes Braho dhe bilanci negativ i rezultuar për krijimin e kësaj shume, u çmuan se e bënin të pazbatueshëm parimin e proporcionalitetit të kërkuar në ankim.

Prokurori Ardian Braho u shkarkua nga KPK më 1 nëntor të vitit 2021, me arsyetimin se nuk kishte deklaruar saktë pasurinë, si dhe konstatuan elementë që ngrinin dyshime për fshehje.  Pakica kundërshtoi analizën e shumicës duke vlerësuar se balancat negative që janë gjetur të shtrira në vite nuk mund të sillnin penalizim, si dhe se nuk mund të griheshin dyshime për fshehje. Për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, Braho mori vlerësim pozitiv.

Debati mes trupës së KPK u zhvillua lidhur me të ardhurat e prindërve që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti prej tyre në vitin 2007, ku jeton edhe subjekti i rivlerësimit, si dhe për disa shuma monetare në USD të depozituara nga babai në llogarinë e tij, për të cilat subjekti tha se nuk kishte pasur dijeni dhe se i përkisnin tezes.

Në ankimin e paraqitur në Kolegj, subjekti ngriti pretendime për aspektin e rregullt ligjor duke kërkuar që të dorëzonte prova të reja dhe çështja të kalohej për shqyrtim në seancë publike. Ky kërkim u gjet i pambështetur nga Kolegji, që vijoi të gjykojë ankimin në dhomë këshillimi.

Vlerësimi shkaqeve për pasurinë

Nga verifikimi i llogarive bankare të babait të subjektit, Komisioni ka evidentuar fonde të mbërritura me transferta nga jashtë vendit, në shumën totale 46 mijë e 561 USD gjatë periudhës 2003-2004, të cilat nuk janë deklaruar nga subjekti. Gjithashtu, nga verifikimi i llogarive bankare të babait janë evidentuar depozitime cash në monedhat euro dhe dollar. Sipas deklarimeve, tezja i ka dhënë babait të subjektit cash edhe shumat 30 mijë USD dhe 2000 USD.

Prokurori Braho ka deklaruar gjatë procesit të vetingut se nuk ka qenë në dijeni të këtyre veprimeve bankare të kryera nga babai i tij, ndërkohë që ka mësuar se janë dërguar nga tezja dhe bashkëshorti i saj, të cilët jetojnë prej vitit 1993 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA. Subjekti ka shpjeguar se babai i ka treguar se llogarinë bankare e ka çelur me kërkesën e tezes dhe bashkëshortit të saj, me qëllim transferimin e vlerave monetare në Shqipëri.

Sipas deklarimit të tezes, qëllimi i dërgimit të vlerave monetare nëpërmjet llogarive bankare apo fizikisht, ka qenë për t’i përdorur për blerjen e një sipërfaqeje toke dhe ndërtimin e një shtëpie në qytetin e Tiranës, plan që nuk kanë arritur ta realizojnë.

Lidhur me këto rrethana, shumica e Komisionit vlerësoi se vlerat e pretenduara të marra cash ishin pasuri e luajtshme e familjes së subjektit të rivlerësimit, pa burime të ligjshme financiare. Sipas KPK, subjekti i rivlerësimit ka tentuar të evitojë verifikimin dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga pamjaftueshmëria financiare. Po ashtu, u konstatua se veç paqartësive mbi shkaqet e transferimit, nuk ka prova se ato para janë marrë më vonë mbrapsht prej tezes.

Prokurori Braho ka kundërshtuar duke i cilësuar të gabuara konkluzionet e Komisionit. Ai ka pretenduar se nuk ndodhet në kushtet e fshehjes së pasurisë, pasi nuk ka pasur detyrimin të deklarojë gjendjet cash apo llogaritë bankare të babait si person i lidhur, as ndër vite në deklaratat periodike vjetore, si dhe as në deklaratën e pasurisë veting. Ai ka shtuar se vlerat monetare as nuk disponoheshin më, pasi llogaritë bankare ishin mbyllur në vitet 2006-2007.

Trupi gjykues i Kolegjit, ashtu si dhe shumica e trupës së KPK, konstaton paqartësi për vlerën e shumave të depozituara cash, që nga shkalla e parë e vetingut janë konsideruar si pasuri të familjes së subjektit dhe si  një tentativë të këtij të fundit për të evituar verifikimin dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga pamjaftueshmëria financiare e krijimit të tyre.

Duke konkluduar se shumat e transferuara nëpërmjet bankës nga llogaritë e tezes në SHBA, në vlerën 46 mijë e 561 USD nuk lenë dyshim për prejardhjen e tyre, trupi gjykues i Kolegji ka vlerësuar të kufizojë analizën e tij në shumën 32 mijë USD, të pretenduar se është sjellë fizikisht.

KPA konstaton se shpjegimet për këtë vlerë mbeten në nivel deklarativ, pa gjetur mbështetje në ndonjë dokument provues të kohës. Kolegji ka vlerësuar gjithashtu, që të mos analizojë mënyrën e kthimit të vlerave monetare tezes, duke i konsideruar pa peshë në këtë çështje dhe pa efekt në vendimarrje.

Nisur nga fakti se këto shuma nuk egzistonin në kohën e plotësimit të deklaratës veting, Kolegji ndryshe nga Komisioni, nuk e kualifikon situatën si fshehje pasurie, por e shtrin arsyetimin në mundësinë e subjektit për të provuar se  vlera 32 mijë USD i përket tezes dhe familjes së saj.

Duke iu referuar pretendimeve dhe argumenteve të subjektit, se shuma 32 mijë USD nuk është sjellë e gjitha në vitin 2005, kur tezja dhe familja e saj kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë marrë pjesë në ceremoninë e dasmës së tij, por është një shumë e sjellë ndër vite, përfshirë dhe 2005-ën, Kolegji ngre pikëpyetje se përse nuk u transferuan nëpërmjet sistemit bankar ashtu si në rastet e tjera.

Tjetër situatë e paqartë për KPA, është dhe fakti se tezja dhe familjarët e saj kanë ardhur në Shqipëri pothuajse çdo vit gjatë periudhës 1999-2008. “[…]përse babai do të akumulonte dhe mbante fizikisht shumën 30.000 USD dhe do të priste deri në shtator të vitit 2005 që ta depozitonte atë në llogari bankare, ndërkohë që mund ta kishte bërë në vitet 2003 dhe 2004, apo deri në prill 2005, kur rezultojnë të jenë dërguar transfertat bankare dhe të jenë kryer nga babai i subjektit të rivlerësimit një sërë tërheqjesh dhe depozitimesh në këto llogari”, ngre pikëpyetje trupi gjykues i Kolegjit.

Po ashtu, vlerësohet se ka mbetur në nivel deklarativ pretendimi se tërheqja nga llogaria bankare e shumës 30 mijë USD është bërë me kërkesë të tezes dhe u është dhënë të afërmve të bashkëshortit të saj për mirëmbajtjen dhe riparimin e banesës së përbashkët që ai ka me vëllezërit në rrethin e Devollit.

KPA vlerëson se nuk u arrit të provohej se shuma 32 mijë USD i përkiste tezes dhe familjes së saj dhe për rrjedhojë çmon se janë vlera monetare që i përkasin familjes së prokurorit Braho. Duke u përfshirë në analizën financiare, sipas KPA rezulton pamundësi financiare për krijimin e vlerës 32 mijë USD. Por, Kolegji saktëson se kjo mungesë financiare konstatohet e pavarur nga kontrolli i analizës financiare që Komisioni ka kryer për apartamentin e blerë në gusht të vitit 2007, duke u konsideruar se vjen si pasojë e arsyetimit logjik të termave financiarë.

Për apartamentin me sipërfaqe 53 m3 të blerë nga prindërit në vitin 2007 në Tiranë kundrejt shumës 3 milionë lekë, Braho ka deklaruar si burime krijimi të ardhurat nga paga e tij si prokuror dhe ato të prindërve nga pensionet dhe puna në sektorin privat gjatë periudhës 2001-2007. Nga hetimi ka rezultuar se babai i subjektit ka depozituar në llogarinë e tij në bankë një shumë 20 mijë euro në majt të vitit 2007 dhe e ka tërhequr atë në gusht të atij viti, kur është blerë apartamenti.

Për të provuar mundësinë e prindërve për kursimin e kësaj vlere, subjekti ka depozituar dokumentacion lidhur me të ardhurat e tij, të babait dhe të nënës, përfshi edhe nga ato në sektorin privat. Komisioni konstatoi mungesë dokumentacioni për pagesat e detyrimeve tatimore për të ardhurat e deklaruara si të përfituara prej prindërve nga sektori privat dhe nuk i përfshiu në analizën financiare. Për mospërfshirjen e këtyre të ardhurave janë dakordësuar të tre anëtarët e trupës së KPK, megjithatë konkluduan me bilance të ndryshme

Shumica konstatoi pamundësi financiare, ndërsa pakica e kreu analizën në mënyrë kumulative për periudhën 2001-2007, duke konkluduar bilanc pozitiv.

Prokurori Braho e ka cilësuar konluzionin e shumicës të padrejtë, në kundërshtim me provat e administruara dhe në interpretim të gabuar të legjislacionit përkatës. Lidhur me shumën 20 mijë euro, subjekti i rivlerësimit ka sqaruar se për këtë transaksion dhe qëllimin e tij, është vënë në dijeni nëpërmjet pyetësorit të Komisionit. Ai ka sqaruar se babai i ka treguar se kjo shumë përbën kursimet familjare të mbajtura fizikisht në banesë, të krijuara pas shpërnguljes në Tiranë në vitin 2001 deri në vitin 2007, të cilat më pas janë përdorur për blerjen e apartamentit. Braho i ka kërkuar Kolegjit që të vlerësojë në tërësi analizën e Komisionit lidhur me burimet e ligjshme për blerjen e apartamentit.

Trupi gjykues i Kolegjit konstaton se, për të verifikuar mundësinë financiare të babait të subjektit për krijimin e shumës 20 mijë euro deri më datë 7 maj të vitit 2007, Komisioni ka kryer analizën financiare duke përfshirë dhe të ardhurat nga pagat e prokurorit Braho për periudhën 2001 – 2002 kur nuk ekzistonte detyrimi për deklarim, si dhe të ardhurat e prindërve provuar me dokumentacion për periudhën 2001 – prill 2007. Në zërin shpenzime janë përllogaritur ato jetike në periudhat respektive, prej nga është konkluduar bilanc negativ në vlerën 1.7 milionë lekë për krijimin e depozitës 20 mijë euro.

Në shqyrtim të shkaqeve të ankimit, Kolegji vlerëson se megjithëse subjekti ka provuar punësimin e babait pranë një shoqërie, prej akteve të administruara nuk janë gjithë elementet që ato të konsiderohen të ligjshme sipas legjislacionit për vetingun e magjistratëve dhe për t’u përfshirë në analizë.

Lidhur me metodën e kryerjes së analizës financiare, në kushtet kur subjekti është në një certifikatë familjare me prindërit dhe jeton në një një ekonomi të përbashkët me ta, trupi gjykues i Kolegjit në ndryshim nga Komisioni, vlerëson që verifikimi i mundësisë financiare për krijimin e depozitës 20 mijë euro dhe blerjen e apartamentit, të bëhet në kuadër të regjimit të përbashkët familjare. Rezultatet e analizës financiare në Kolegj kanë treguar balancë pozitive dhe është arritur në konkluzionin se subjekti dhe familjarët e tij kanë pasur mundësi për të krijuar me të ardhura të ligjshme depozitën dhe apartamentin.

Gjatë kontrollit të analizës financiare të Komisionit, Kolegji ka gjetur pamundësi në shumën 409 mijë lekë për krijimin e një depozite në vlerën 12 mijë e 980 euro në vitin 2014 dhe bilanc negativ prej 318 mijë lekësh për krijimin e një gjendje cash në banesë në vlerën 1.3 milionë lekë në vitin 2015.

Kërkimi i subjektit se këto pamundësi të vogla duhen vlerësuar në frymën e parimit të proporcionalitetit nuk është gjetur i zbatueshëm nga Kolegji, që i ka vlerësuar bilancet negative së bashku me konkluzionin për shumën 32 mijë USD të depozituar cash nga babai në llogarinë e tij bankare, që u pretendua se i përkiste tezes, por u çmua se ishte pasuri e familjes Braho. Për rrjedhojë është lënë në fuqi shkarkimi nga detyra.