Ballina Aktualitet Çështjet administrative të regjistruara në Gjykatën e Lartë shënuan, rritje me 133%...

Çështjet administrative të regjistruara në Gjykatën e Lartë shënuan, rritje me 133% të rasteve në krahasim me 2022! Ja arsyeja

26
0

Funksionimi i Gjykatës Administrative të Apelit me trupë të plotë gjatë vitit 2024 duket se ka sjellë si efekt zinxhir rritjen e numrit të çështjeve që regjistrohen “për të vijuar betejën” në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit raportoi se çështjet e reja u rritën me 58% gjatë vitit të shkuar krahasuar me vitin 2023.

Edhe pse krahasimisht në ulje me prurjet e viteve 2019-2020 (përkatësisht me 63% dhe 26%), për herë të parë kemi një ndryshim kaq të madh në numrin e çështjeve të reja administrative të përcjella pranë Gjykatës së Lartë.

Krahasuar me vitin 2022 si viti me numrin më të ulët të çështjeve të reja administrative të regjistruara, kjo rritje llogaritet me 133%. Një rritje e tillë mund t’i atribuohet funksionimit tashmë të Gjykatës Administrative të Apelit me trupë të plotë gjyqësore prej 13 gjyqtarësh dhe rritjes së volumit të vendimmarrjes atje “nënvizon Gjykata e Lartë në raportimin e saj vjetor.

Referuar statistikave të kësaj Gjykate në rritje më të lehtë kanë qenë edhe çështjet civile të regjistruara pranë saj. Konkretisht kjo rritje ishte me 8% në krahasim me vitin e kaluar 2023.

Nëse krahasohen me vitin 2022 numri i çështjeve të reja të regjistruara në vitin 2024 është 2% më shumë se në vitin 2022 dhe 38% më pak se në vitin 2021. Krahasuar me vitin 2019 dhe 2020 kjo përqindje është përkatësisht 70% dhe 36% më pak” thuhet në dokument.

Sipas dokumentit çështjet penale qëndrojnë pak a shumë konstante në prirje kryesisht në rënie, me një ulje të lehtë prej 7% në krahasim me vitin 2023 dhe 16% në krahasim me vitin 2022. Në krahasim me vitin 2019, ulja llogaritet me 30%.

Në total çështjet administrative të regjistruara në vitin 2024 zënë një volum prej 35% të ngarkesës së gjykatës, çështjet civile zënë një volum prej 33% ndërsa ato penale zënë një volum prej 32%.