Rreth 150 mijë qytetarë shqiptarë do të kenë afat deri në fund të këtij muaji që të dorëzojnë elektronikisht deklaratën individuale të të ardhurave tatimore. Tatimet sqarojnë se ata individë që nuk përmbushin këtë detyrim ligjor do të gjobiten sipas parashikimeve të Ligjit të Procedurave Tatimore.
Sipas ligjit, gjoba 3 mijë lekë hyn automatikisht në fuqi për të gjithë individët që kanë detyrimin për të dorëzuar deklaratën e të ardhurave, por nuk e kanë përmbushur këtë detyrim deri në datën 31 mars. Por ky është vetëm sanksioni i parë. Më pas ligji i jep të drejtë administratës tatimore që të bëjë rivlerësim tatimor të individit.
Detyrimin për të dorëzuar deklaratën individuale të të ardhurave e kanë të gjithë qytetarët rezidentë dhe jo rezidentë, të cilët gjatë vitit 2024 plotësojnë një nga kushtet e mëposhtëme:
a-Kanë patur një pagë bruto vjetore mbi 1.2 milionë lekë;
b-janë të dypunësuar, të paktën për një periudhë tatimore brenda vitit;
c-realizojnë të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim.
Sipas të dhënave nga Tatimet, parashikohet që numri i deklaruesve të DIVA-s të jetë mbi 144 mijë individë, duke pasur parasysh që me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, me uljen e kufirit nga 2 milion lekë në 1.2 milionë lekë, numri i deklaruesve pritet të jetë shumë më i lartë se vitet e mëparshme.
Administrata Tatimore njofton se deklarata DIVA 2024, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.