Ballina Bota ​Kina ekzekuton katër kanadezë për krime të drogës

​Kina ekzekuton katër kanadezë për krime të drogës

22
0

Katër kanadezë me shtetësi të dyfishtë u ekzekutuan në Kinë më herët këtë vit për akuza të lidhura me drogën, konfirmuan autoritetet kanadeze. Ministrja e Jashtme Mélanie Joly deklaroi se identitetet e tyre janë mbajtur të fshehta dhe se ajo, bashkë me ish-kryeministrin Justin Trudeau dhe zyrtarë të tjerë, kishte ndërhyrë për të ndaluar ekzekutimet, por pa sukses.

Ambasada kineze në Kanada mbrojti vendimin, duke deklaruar se kishte “prova të forta dhe të mjaftueshme” dhe se të drejtat e të dënuarve ishin garantuar plotësisht, shkruan BBC.

Pekini i kërkoi Otavës të respektojë sovranitetin gjyqësor të Kinës dhe të ndalojë “deklaratat e papërgjegjshme”. Kina, e cila nuk e njeh shtetësinë e dyfishtë, ka një politikë të rreptë ndaj krimeve të drogës dhe aplikon dënimin me vdekje për shkelje të rënda, përfshirë korrupsionin dhe spiunazhin, përcjell KosovaPress.

Ekzekutimi i këtyre kanadezëve, një akt i rrallë ndaj të huajve, ka ngjallur reagime të forta. Amnesty International e quajti vendimin “shokues dhe çnjerëzor”, duke theksuar shqetësimet për të tjerë kanadezë që mbeten të burgosur në Kinë me dënime të ngjashme. Kanadaja, e cila kundërshton dënimin me vdekje në çdo rrethanë, ka bërë thirrje të vazhdueshme për mëshirë.

Marrëdhëniet midis Kanadasë dhe Kinës kanë qenë të tensionuara prej vitesh, veçanërisht pas arrestimit të ekzekutives kineze Meng Wanzhou në 2018, që u pasua me ndalimin e dy kanadezëve në Kinë. Kohët e fundit, marrëdhëniet janë përkeqësuar për shkak të akuzave për ndërhyrje kineze në zgjedhjet kanadeze dhe tarifave tregtare hakmarrëse mes dy vendeve.