Reshjet e dëborës shoqëruar me temperatura të ulëta në juglindje të vendit kanë dëmtuar me mijëra pemë drufrutorësh.
“Temperaturat ne juglindje të vendit janë ulur ndjeshëm deri në – 7 gradë celsius e mbi 600 hektarë drufrturorë qershi, kumbulla e pjeshke rrezikojnë të dëmtohen. Për fermerët një nga mënyrat për të mbrojtur prodhimin e tyre është ndezja e zjarreve.”
Dritan Rukaj dhe Arian Cenkollari janë fermerë nga fshati Leminot i Maliqit. Të dy kanë mbjellë kumbulla të hershme, sipërfaqe që rrezikojnë prodhimin e pritshëm e bashkë kanë qenë të detyruar t’i rikthehen metodës tradicionale, tymit të zjarrit.
“Sivjet kushtet atmosferike na kanë besuar nuk e kemi pritur këtë kohë e tani me mjetet tona me tym mundohemi t’i mbrojmë. Me sa kemi dëgjuar që kjo i mbron, të shohim, mundohemi. Unë nuk mbaj mend në këtë kohë të ketë patur të tilla temperatura. Po vazhdoi kështu do kemi goxha dëmtime në pemët që kanë çelur “,-tha fermeri Dritan Rukaj.
“Për shkak të temperaturave në Korçë ne kemi marrë masa të shpëtojmë drufrutoret në lulëzim e sipër. Kemi marrë materiale për të ndezur zjarr e do e mbajmë me tym gjithë natën sa të kemi mundësi, ne do bëjmë tonën, natyra të sajën. Të paktën 50% ta shpëtojmë. Kjo është e vetmja mënyrë artificiale për të ndërhyrë në këto raste, është e njohur e praktikuar në zonën tonë “,-tha fermeri Arian Cenkollari.
Në qarkun e Korçës ka një sipërfaqe prej 4200 hektarësh me drufrutore, kryesisht mollë, kumbull e qershi. Dy të fundit janë të rrezikuara nga temperaturat e ulëta të këtyre ditëve.