Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj thotë se nuk ka pretenduar të jetë në listat e kandidatëve për deputetë të kësaj force politike, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Xhaferaj i konsideroi primaret një proces që do e çojnë PD drejt humbjes.
“I kam të shpallur qëndrimet e mia. Unë nuk kam pretenduar asnjëherë të jem në një listë, e cila konceptohet dhe vjen si rezultat i një procesi që e çon PD drejt humbjes. Sikurse kam qenë gjithmonë i gatshëm, të kontribuoj, me listë apo pa listë, kur është ndërtuar një projekt fitues. Por të mos kesh pretendime për të mos qenë te kjo listë, nuk do të thotë që nuk ke përgjegjësi për atë që po ndodh në PD. Dhe kjo përgjegjësi na shtyn që të jemi edhe këtu, së bashku dhe të flasim.
Ju i quani prioritet listat, por unë do t’i quaja hallka e fundit e një zinxhiri vendimmarrjeje, që kompozonte dhe shfaqte një PD që nuk projektohej për t’i fituar zgjedhjet, por për t’i shërbyer interesave të kryetarit në raport me drejtësinë. Thënë këtë, unë i qëndroj mendimit tim, që procesi karshi zotit Berisha është i vendosur mbi një bazament të lëkundshëm ligjor dhe kjo vjen nga një përmbledhje e ekspertizës së ekspertëve”, theksoi ai.