Në një takim me strukturat e Fierit, Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, prezantoi kandidatët Vjola Avdulaj, Ali Bendaj, Dajela Daka, Burbuqe Goxhaj, Sabire Hoxhaj, Afrim Kokla, Gerard Komini, GëzimMaloku, Klejdian Mehmeti, Burhan Misiraj, Kleanth Miska, Florentina Nushi, Gjergji Peri, Elvis Pisku, Fation Pollozhani, Ermal Sefa, që do të garojnë në listën e hapur për këtë qarkë.
Ai nënvizoi se ky koalicion ofron një alternativë të pastër, përkundër qeverisë së Edi Ramës, duke promovuar luftën kundër korrupsionit dhe mbështetje për drejtësinë. Basha vuri theksin te programi i koalicionit, që është i orientuar drejt përmirësimit të kushteve për familjen shqiptare, sipërmarrësin dhe fermerin, dhe ftoi qytetarët të mbështesin kandidatë të ndershëm dhe të pa shantazhueshëm.
“Alternativa është program dhe ekip. Ne kemi vizionin, ekipin dhe vendosmërinë për të sjellë ndryshimin e vërtetë,” tha Basha.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Ata që na janë bashkuar në këtë rrugëtim, dhe se kam fjalën vetëm për strukturat tona dhe kandidatët tanë, e dinë se në çfarë gjendje është Shqipëria, por po kështu besojnë tek ndryshimi. Besojnë që Shqipëria ka një të ardhme më të mirë. Diçka që s’mund ta themi, për strukturat, pa lë më votuesit e Edi ramës apo dikujt tjetër. Ata e dinë fare mirë që nuk ka asnjë shans të përmirësohet e ardhmja e tyre, as pas 11 majit, as pas një viti, as pas 10 vitesh, me Edi Ramën dhe qeverinë e tij të korruptuar apo me këdo tjetër që as nuk e përfillin më si alternativë, sepse e dinë që janë njerëz pa shtyllë kurrizore, pa bindje dhe që gjithë këtë betejë e bëjnë për veten e tyre. Ky është një avantazh i madh që ne kemi si Euroatlantikë. Njerëzit që janë tek ne besojnë se me ne Shqipëria do të ketë një të ardhme më të mirë, një të ardhme me të vërtetë Europiane. Një të ardhme e standarteve më të larta në çdo fushë. Ndaj, me kokën lartë, pa asnjë kompleks, s’kemi, i kemi lënë pas komplekset, i kemi lënë shumë pas njerëzit e shantazhueshëm. Të shkojmë tek qytetarët e t’ua themi fare qartë, mbështesni luftën kundër korrupsionit, mbështesni drejtësinë. Keni një alternativë, Koalicionin Euroatlantik në krah të SPAK, për t’i shkuar deri në fund luftës kundër korrupsionit. Doni të vendosni ju atë që do t’u shërbejë ju dhe jo dikë që jua cakton dikush, një hallexhi i SPAK-ut, keni listat tona të hapura. Ne kemi vetëm listën e hapur, jeni ju që vendosni kush do të shkojë në parlamentin e ardhshmë për t’ju përfaqësuar. Doni të keni një program dhe as premtime fallso “fluturon gomari” dhe as gënjeshtart e përsëritura sa herë vijnë zgjedhjet, siç bën Edi Rama, keni programin tonë të shpallur më 1 qershor që CDU-ja gjermane e quajti programin më të mirë në 35 vite dhe programi i vetëm i djathtë i Shqipërisë në 34 vite, që me të vërtetë kanë në qendër familjen shqiptare, shtresën e mesme shqiptare, sipërmarrësin shqiptar, fermerin shqiptar dhe rirninë shqiptare. Ndaj, arsyet janë para jush. Detyra jonë është t’ju japim shqiptarëve alternativën. Alternativa është program dhe ekip. Ne kemi vizionin, e kemi programin, e kemi ekipin, ne kemi vendosmërinë t’i shkojmë kësaj rruge deri në fund. Kjo është detyra jonë, shtëpi më shtëpi, dyqan më dyqan, fermë më fermë, grup interesi pas grup interesi me theks të veçantë rininë shqiptare, t’jua bëjmë të qartë që nuk janë të dënuar midis Shilës dhe Karibdës më 11 maj. Nuk është zgjedhje pa zgjidhje. Ka një zgjidhje, është vota për Koalicionin Euroatlantik, numri 4 dhe për kandidatët tanë. Kjo është detyra jonë, pastaj është detyra e qytetarëve më 11 maj të vënë trurin në punë, për veten e tyre, për fëmijët e tyre, të votojnë jo si dele, të nxerrin kokën nga plënci i dinozaurve të tranzicionit dhe të hedhin votën për veten e tyre dhe familjet e tyre. Në mënyrë që më 12 maj të kenë mundësi t’i shohin fëmijët në sy, e t’i thonë më 11 maj, ne votuam për ju dhe të ardhmen tuaj, votuam numrin 4, Koalicionin Euroatlantik.