Anija kozmike, Blue Ghost e kompanisë private amerikane “Firefly Aerospace” ka regjistruar perëndimin e diellit para përfundimit të misionit në Hënë.
Firefly Aerospace ka publikuar pamjen e fundit që ka regjistruar anija e saj kozmike.
Kompania nga Texas ka përfunduar misionin e parë javën e kaluar pasi Blue Ghost kaloi një ditë të plotë lunare në satelitin e Tokës, që është ekuivalente me 14 ditë në Tokë.
Blue Ghost ka kaluar rreth pesë orë para se të dorëzohej për shkak të temperaturave ekstreme të ulëta.
Videoja një minutëshe është përbërë nga pamje që janë regjistruar nga kamera të ndryshme në Blue Ghost, dhe më pas janë bashkuar në një video të plotë.
Në video shihen edhe Toka dhe Venusi, që shkëlqejnë menjëherë mbi sipërfaqen e Hënës. Ekipi i NASA-s që qëndron pas misionit do të analizojë më tej imazhet dhe do të ndajnë rezultatet e tyre.
Blue Ghost ka ulur në Hënë të dielën, më 2 mars, me dhjetë instrumente të NASA-s të dizajnuara për të studiuar sipërfaqen e Hënës dhe për të mbledhur të dhëna që do të ndihmojnë misionet e ardhshme njerëzore.
Ky mision është pjesë e iniciativës CLPS (Commercial Lunar Payload Services) të NASA-s, që dërgon ngarkesa në Hënë duke përdorur anijen komerciale kozmike.
Blue Ghost përfundoi 14 ditë operacione në sipërfaqen e Hënës, duke vendosur instrumentet dhe mblodhi më shumë se 119 gigabajt të dhëna. Ky ishte misioni më i gjatë komercial në Hënë deri tani dhe i pari në një seri anijesh kozmike që do të ulen çdo vit në Hënë.
Firefly gjatë misionit ndau një seri pamjesh të jashtëzakonshme. Anija Kozmike regjistroi një video mbresëlënëse të uljes së saj në sipërfaqen e Hënës të mbushur me kraterë.
Blue Ghost gjithashtu regjistroi më 14 mars një eklips të plotë të diellit nga Hëna, ndërkohë që Toka përjetoi një eklips të plotë të Hënës.
Me misionin Ghost Riders to the Sky, Firefly u bë kompania e dytë që ka ulur një anije kozmike në Hënë dhe e para që ka mbajtur anijen të qëndrueshme pas uljes.
Kompania tashmë po përgatit misionin e dytë në Hënë dhe planifikon të ulet në sipërfaqen lunare çdo vit.