Lewis Hamilton la pas Oscar Piastrin dhe Max Verstappen duke dërguar Ferrarin e tij SF-25 të parin në vijën e finishit gjatë garës Sprint për Çmimin e Madh të Kinës në cirkuitin e Shanghait.
Për Sir Hamilton kjo ishte fitorja e parë në këtë disiplinë, teksa e para është edhe për Ferrarin. Pas 19 xhirove në pozitën e dytë u rendit Oscar Piastri dhe pas tij Max Verstappen.
Gara u dominua nga Hamilton, ndërsa pas xhiros së shtatë pati disa vështirësi, që më pas i kaloi. Shtatë herë kampioni i botës është rikthyer të jetë i frikshëm në moshën 40-vjeçare, teksa këtë sezon do jetë pjesë e Ferrarit.
Një performancë dukshëm nën pritshmëritë për Lando Norris i cili përfundoi i teti (një xhiro e parë katastrofike për fituesin e Çmimit të Madh të Australisë) përpara dy Aston Martin të Lance Stroll dhe Fernando Alonso, duke siguruar pikën e fundit të garës.
Një performancë dukshëm më e ulët për pilotin anglez të McLaren, veçanërisht kur krahasohet me vendin e dytë të shokut të tij të skuadrës Piastri.
Norris ruan kryesimin në renditjen e përgjithshme të Kampionatit Botëror të Pilotëve me 26 pikë kundrejt 24 pikëve të Verstappen, 20 të Russell dhe 14 të Antonellit.
Vendi i pestë për Albon me dhjetë pikë. Nga ana e tij, Hamilton ngjitet në vendin e shtatë, i barabartë me Piastrin (nëntë pikë), ndërsa Leclerc është i teti, i barabartë me Stroll në pikë (tetë).
Nesër (e diel) në orën 8:00 të mëngjesit me atë shqiptare do zhvillohet gara për të mësuar fituesin e Çmimit të Madh të Kinës. Në kualifikueset për “pole-position” dominoi McLaren i Oscar Piastri (pole i parë në karrierë) dhe pas tij do niset George Russel me Mercedes. Norris, Verstappen, Hamilton dhe Leclerc do provojnë të fitojnë garën.