Pas pezullimit të lundrimeve në Vlorë për shkak të motit të keq, masat vijnë edhe për portin e Durrësit.
Sot do të nisen tragetet e linjës Durrës-Bari-Durrës, por ditën e nesërme, 23 mars, do të ketë një pezullim lundrimi për shkak të motit të përkeqësuar dhe detit me dallgë.
Njoftimi u bë sot (22 mars) nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, ku përfshihet edhe Porti i Vlorës dhe Sarandës. Për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit lundrimi normal do kthehet vetëm në datën 25 mars.
Pezullimi nis nga ora 06:00 e mëngjesit të nesërme dhe Kapiteneria njofton që të gjithë drejtuesit e mjeteve lundruese të jenë në gatishmëri dhe të shmangin ndonjë ngjarje, duke i siguruar ato.
Tragetet në Vlorë do të nisin lundrimin vetëm pas orës 22:00 të datës 24 mars, pra rreth dy ditë pezullim. Linja Durrës-Ankona do operojë normalisht, ashtu sikurse Korfuz-Sarandë. Por Durrës-Bari-Durrës ditën e nesërme pezullohet dhe rikthehet të hënën.
Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme Detare:
“Njoftim për kushtet hidrometeorologjike të përkeqësuara gjatë datave 23-25.03.2025 !
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike, gjithë bregdetit shqiptar, duke filluar nga ora 08:00 datë 23.03.2025, do të përfshihet me erë të fortë në drejtimin JUG-JUG-LINDJE në forcën deri 8-9bft me shpejtësi deri 25-40m/s dhe lartësi dallge nga 2.50 deri 4.50 metra.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmerisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
-NDALOHET PAISJA ME LEJE-NISJE I MJETEVE TE VOGLA LUNDRUESE DHE ATO TE PESHKIMIT TË CILAT OPEROJNË NË DET TË HAPUR DUKE FILLUAR NGA ORA 06:00 DATË 23.03.2025.
-TË GJITHË DREJTUESIT E MJETEVE TË VOGLA LUNDRUESE DHE ANIJEVE TË PESHKIMIT TË MARRIN NË KONSIDERATË KUSHTET HIDROMETEOROLOGJIKE DHE MARJEN E MASAVE PËR SIGURIMIN E TYRE.
-Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjer dhe automjete në linjën Vlorë – Brindisi – Vlorë, do të anulohet deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike detare e cila do të jetë mbas orës 22:00 të datës 24.03.2025.
-Anijet pasagjere të linjës Durrës-Bari-Durrës do të nisen ditën e sotme nga të dyja drejtimet dhe ditën e nesërme do të pezullohen.
-Anija e linjes Ankona -Durres -Ankona do të operoje normalisht.
-Tragetet e linjes Sarandë-Korfuz-Sarandë do të vazhdojne të operojne normalisht.
-Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 08:00 të datës 25.03.2025“.