Të paktën dy persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre pasi zjarret pyjore shpërthyen sot në Korenë e Jugut.
Dy zjarrfikës u gjetën të vdekur në qarkun Sancheong në juglindje të vendit, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap, duke cituar zyrtarët lokalë, ndërsa dy persona të tjerë janë zhdukur pasi më shumë zjarre digjen në të gjithë vendin, sipas Shërbimit Pyjor të Koresë.
Në orën 18:00 sipas kohës lokale, është shpallur gjendja e jashtëzakonshme duke përfshirë qytetin Ulsan dhe provincat e Gyeongsang Verior dhe Jugor në juglindje të vendit.
Mbi 200 banorë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në tetë fshatra për shkak të zjarrit në qarkun Sancheong në Gyeongsang Jugor.
Presidenti në detyrë Choi Sang-mok bëri thirrje për të shuar zjarrin deri në mbrëmje, por erërat e forta e bënë të vështirë shuarjen në terren, rreth 250 kilometra në juglindje të Seulit.
Mbi 400 banorë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të zjarrit në qarkun Uiseong në Gyeongsang Verior. Shërbimi Pyjor ka lëshuar një paralajmërim për zjarre për 12 vende, duke përfshirë qytetet Busan dhe Daejeon.